Qytetarët nuk blejnë banesa – Bien të ardhurat nga taksa e pasurisë së paluajtshme
Në 3 muajt e parë të vitit 61 bashkitë në të gjithë vendin mblodhën më pak të ardhura se kishin parashikuar nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme. Referuar raportit të Financave Vendore, për periudhën Janar-Mars 2019, të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme regjistruan një vlerë prej rreth 784.3 milionë lekë , në rënie të lehtë prej 2.4% krahasuar me vitin e mëparshëm. Taksa mbi tokën bujqësore dhe taksa mbi transferimin e të drejtave të pronësisë ndikuan në rënien e të ardhurave nga ky zë përgjatë tremujorit të parë të vitit.
Sipas raportit në fjalë, në prani të një oferte të shtuar dhe në rritje për ndërtime të reja, rënia e të ardhurave nga transaksionet e kryera me pasuritë e paluajtshme mund të jetë një sinjal për ngadalësimin e kërkesës për to. Në nivel bashkie, rreth 40.1% e të ardhurave nga taksa për pasuritë e paluajtshme realizohet në bashkinë Tiranë, rezultat i përqendrimit të një numri të lartë banesash dhe ndërtesash në këtë territor. Bashkia Durrës renditet e dyta për nga pesha në të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme me rreth 8% ndaj totalit për periudhën e konsideruar.
Elisabeta Dosku /SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.