Racizmi dhe urrejtja në Ballkan – Greqia, “mbretëresha” e incidenteve. Shqipëria më e “pastra”

OSBE ODIHR ka publikuar të dhënat mbi krimet e shkaktuara nga urrejtja dhe incidentet në të gjithë rajonin ku kjo organizatë shtrihet. Ndër vendet që raportojnë, me përjashtim të Kosovës, përfshihet edhe i gjithë Ballkani.
Duke analizuar të dhënat e secilit shtet për incidentet e raportuara gjatë vitit të shkuar, SCAN ka përgatitur një tabelë ku shënohen incidentet me motivim racizmin dhe ksenofobinë.
Shqipëria paraqitet në këtë grafik me vetëm 1 incident të regjistruar, i cili ka të bëjë me ofendimin dhe sulmin fizik ndaj një gruaje muslimane në transportin publik. Megjithatë shënimet e ODIHR tregojnë se vendi ynë nuk ka raportuar periodikisht drejt kësaj organizate mbi krimet e urrejtes të regjistruara në polici.
Nga ana tjetër, në krye të renditjes, me më shumë incidente të tilla të denoncuara në 1 vit, qëndron Greqia, me plot 60 të tilla. Racizmi dhe ksenofobia është shkaku kryesor për këto krime, sipas ODIHR. Por ndërkohë, të dhënat nga organizatat e shoqërisë civile apo grupeve të ndryshme tregojnë për 135 incidente. Në ndryshim me raportimin e institucioneve zyrtare helene, duket se ka një nënraportim të rasteve të sulmit dhe agresionit ndaj grupeve LGBT.
Një normë e lartë incidentesh paraqitet edhe në Bosnje dhe Hercegovinë, ku dominojnë sulmet ndaj muslimanëve.
Në Maqedoni ndërkohë dominojnë rastet që marrin shkak nga racizmi dhe ksenofobia, drejtuar ndaj emigrantëve të ardhur nga Maroku, Siria dhe Iraku.
Në Serbi dhe Malin e Zi, sulmet janë drejtuar kryesisht anëtarëve të komunitetit LGBT. Në Kroaci dhe Slloveni dominojnë sulmet me bazë racizmi dhe ksenofobie, ndërsa në Rumani dhe Bullgari dominojnë incidentet mbi bazë fetare.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.