Rajoni italian që ‘nuk ekziston’
Molise, një rajon i vogël në Italinë Lindore, është i famshëm për një gjë: nuk ekziston. Teknikisht, ekziston pasi është një nga 20 rajonet zyrtare të Italisë, duke pasur një status të barabartë me Toscana, Lombardia ose Piemonte. Ky vend mban zgjedhjet rajonale dhe voton në ato nacionale. Kufizohet me rajonet Abruzzo, Puglia, Lazio dhe Campania, të gjitha vendet që janë sigurisht shumë të njohura dhe reale. Por pse italianët pëlqejnë të pretendojnë se Molise nuk ekziston?
Historia u bë publike për herë të parë në internet disa vjet më parë, shprehet Enzo Luongo, gazetar dhe autor i librit Il Molise Non Esiste (Molise Nuk ekziston). “Njerëzit kishin filluar të postonin ‘hashtag’ të tillë si #ilmolisenonesiste në formë shakaje shakaje, duke marrë shkas nga përmasat e vogla të rajonit, si dhe nga mungesa e njohjes brenda vetë Italisë.”
“Komploti Molise”, siç njihet ndryshe është shndërruar në një fenomen kulturor brenda Italisë, duke frymëzuar libra, këngë, video, monologë teatrale, artikuj lajmesh dhe shumë të tjerë. Vec tyre ekziston edhe një faqe në Facebook e quajtur: “Molisn’t – lo non credo nell’esistenza del Molise (Molisn’t – Unë nuk besoj në ekzistencën e Molise) e cila shfrytëzon pikërisht këtë fenomen duke stampuar dhe më pas shitur këtë shprehje nëpër filxhanë, bluza etj.
Disa artikuj jo të vërtetë janë botuar ndër vite duke spekuluar mbi ekzistencën e rajonit, ndërsa ‘memet’ në internet e krahasojnë Molise me Narnia dhe portretizojnë hartat e Italisë me një vrimë të zezë në vendin ku supozohet të ndodhet realisht rajoni.
Një video e hedhur në YouTube e vitit 2015, me titullin dramatik IL MOLISE NON ESISTE !!, ka më shumë se 1.6 milion shikime, gati më shumë se pesë herë numrin total të 305 mijë banorëve të vetë Molises. Në shumë pak vite, rajoni i Molise kaloi nga ‘errësira’ e plotë në një shaka kombëtare e Italisë. (BBC)
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.