Rama- Ambasadorëve: Diplomacia ekonomike të jetë shtylla e aktivitetit tuaj të përditshëm
Në një takim me Ambasadorët në Ministrinë e Punëve të Jashtme, kryeministri Rama ka qenë shumë kritik ndaj shërbimit të jashtëm, ku ka thënë se përgjegjësia mbi mungesën e këtij shërbimi bie mbi shumë aktorë dhe shumë faktorë.
“Asgjë nuk ka ndryshuar sot edhe të gjithë ditët. Ekonomia e vendit është një fushë që MPJ nuk mund ta konsiderojë jashtë sferës së përgjegjësive dhe detyrimeve personale. Nuk i laj duart para jush në lidhje me këtë përgjegjësi. Mbaj përgjegjësi për një dobësi kaq të rëndë të trashëguar për kaq shume vite. Nuk duhet të jetë më kështu, përgjegjësinë për këtë kthesë do ta mbaj për aq sa më takon. Puna e shefit të diplomacisë do të matet se si dhe sa do te përmirësohet roli i shërbimit të jashtëm në dobi të ekonomisë së vendit tonë”, tha Kryeministri Rama.
Kryeministri Rama është shprehur më tej puna e çdo ambasadori do të vlerësohet në bazë të kontributit që ai jep.
“Puna juaj do te vlerësohet në bazë të kontributit që ju duhet te jepni. Ne duhet të bëjmë me shumë për të garantuar më shumë në punën tuaj. Në harkun kohor të katër viteve e kam të vështire të gjej dhe e pyes veten pse ju keni qenë kaq të avashtë për të ndjerë urgjencën e dhe domosdoshmërinë për të hartuar platforma. Shija që të lë kjo situatë nuk është aspak e këndshme. Kohët kanë ndryshuar rrënjësisht, gjeopolitika është përshpejtuar dhe përshpejtohet çdo ditë, globalizmi ka përshpejtuar duke vendosur ekuilibra te rinj. Ekuilibrat e rinj kërkojnë zgjidhje specifike, vendi ynë, shoqëria jonë ka kërkesa që shtohen edhe me shumë, janë çdo ditë edhe më të mëdha. Diplomacia jonë do të vazhdojë të bëjë atë pune që di të bëjë më mire, duke mbrojtur interesat e shqiptarëve. Duhet një përmbysje e madhe, një qasje e re dhe një vullnet i ripërtërirë. Na duhet kreativitet dhe pragmatizëm, cilësi të cilat sot janë të fjetura. Juve ju thërrasin shkëlqesi se e do profesioni dhe si përfaqësues të një kombi. Po ju a jeni, a jetoni ne atë lartësi që ju ka ngritur i gjithë ky shtet, a jeni te vetëdijshme se te gjithë shqiptaret presin që ju të shkëlqeni në atë që bëni, të justifikoni lartësinë e vendit tuaj. A e pyesni veten ju se sa shume nuk është bere dhe çfarë duhet bërë nga ju? Nuk kemi nevojë për burokratë të cilët nuk ndërhyjnë në vendet ku janë se nuk hapen dyert, sepse nuk dinë ku trokasin. Nuk na duhen te dërguar fuqiplotë në letër dhe as diplomatë të rraskapitur nga gjumi. Nuk na duhen individë që nuk i kuptojnë rrjedhat politike të vendit ku shërbejnë. Është bërë goxha pastrim gjate këtyre katër viteve, por ende kemi diplomatë delenxhinj. Na duhet të paraqesim më të mirën tonë përmes shërbimit të jashtëm”.
Kryeministri Rama ka kërkuar nga ambasadorët që diplomacia ekonomike të jetë shtylla e aktivitetit të përditshëm, por njëkohësisht ka kërkuar raport çdo tre muaj për përpjekjet që janë bërë për shkëmbime tregtare dhe për bizneset.
“Diplomacia ekonomike të jetë shtylla e aktivitetit tuaj të përditshëm. Do të pres çdo tre muaj nga secila diplomaci një raport për përpjekjet që janë bërë për rritjen e shkëmbimeve tregtare për shkëmbime dhe nxitje të bizneseve. Kontaktet me operatorët e biznesit me operatorët turistikë duhet te jene prioritet i lartë në axhendën tuaj. Fillojeni këtë përpjekje duke nisur me diskutime serioze dhe me ndershmëri. Në takimin tuaj treditor prej edhe një raportor. Do të ketë shpërndarje incentivash sipas aktiviteteve të organizuara. Ajo çfarë ju kërkoj njëkohësisht është edhe bashkëpunimi me diasporën”, pohoi Rama
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.