Rama bën bilancin e dy mandateve: “Në të parin riparuam financat, në të dytin vendosëm rregull”
Kryeministri Edi Rama, në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, ka bërë bilancin e dy mandateve të qeverisjes. Në një fjalim relativisht të gjatë, kryeministri tha se gjatë mandatit të parë janë riparuar financat publike ndërsa në mandatin e dytë është vendosur rregulli.
“Tanimë, kur bëhen shtatë vjet nga dita kur ne morëm detyrën, mund të thuhet me plot gojën se jemi në kushtet kur e keqja më e madhe është harruar, ose duhet kujtuar ose rikujtuar, sepse dita kur ne e nisëm këtë rrugëtim nuk ka as asgjë të ngjashme me ditën ku jemi sot”, shtoi ai.
Rama i ka kërkuar shqiptarëve edhe një mandat të tretë, pasi sipas tij Partia Socialiste nuk është e keqja më e vogël, por e vetmja e mirë.
“Ne na duhet një mandat i tretë jo për vete, por për Shqipërinë, me qëllim që Shqipëria të kalojë nga ecja në vrapim. kush mund ta kalojë Shqipërinë në një nivel shpejtësi, përveç PS-së së Shqipërisë. Ne nuk jemi e keqja më e vogël, ne jemi e vetmja e mirë që ka në politikën shqiptare. Potenciali i kësaj familjeje politike është për më tepër besnikëri ndaj vlerave, shumë më tepër besnikëri ndaj atyre që meritojnë më shumë edhe në aspektin e përfaqësimit, dhe për shumë më tepër besnikëri, ndaj bindjes për të cilën të gjithë shqiptarët e votojnë, dhe do ta votojnë prapë PS”, tha Rama.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.