Rama firmos planin për inovacionin, në lojë “Engjëjt e biznesit”
Inovacioni duket se do të marrë një vëmendje të veçantë po të kemi parasysh një urdhër të fundit të firmosur nga Kryeministri Edi Rama që hedh piketat planit të veprimit në vitet 2017-2021.
Në këtë urdhër kërkohet ngritja e një grupi pune ndërinstitucional që do të kryesohet nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe do të ketë në përbërje përfaqësues Ministria e Financave, Ministria e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, nga ministria e Arsimit dhe Sportit, nga AKSHI, AIDA.
Brenda 6 mujorit të parë të këtij viti Rama kërkon që të ngrihet një Këshill Kombëtar për Inovacionin që do të koordinojë vendimmarrjen dhe politikat.
Nga ana tjetër është kërkuar që po brenda këtij viti të bëhet zhvillimi i kapaciteteve për agjencitë qendrore që ofrojnë shërbime mbështetëse për inovacionin.
Kjo mund të ketë një nevojë për financim prej 100 mijë eurosh në vit për pozicionet shtesë dhe trajnimet. Në afatgjatë plani parashikon ngritjen e një rrjeti të njohur si “bussines angels” apo engjëjt e biznesit.
Ky koncept edhe pse i pa lakuar shpesh në vend ka një njohje të madhe në botë pasi në këtë kategori përfshihen njerëz të suksesshëm biznesi, të pasur dhe me njohje që mund të jenë hallka lidhëse për zhvillimin e sipërmarrjeve të suksesshme.
Në urdhrin e kreut të qeverisë thuhet se do të ketë një identifikim të engjëjve potencialë të biznesit, hartim të kuadrit rregullator si dhe proces të hollësishëm për përzgjedhjen e projekteve dhe sipërmarrësve.
Nertila Maho/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.