Rama: HEC-et mbi Vjosë nuk do ndërtohen. Koncesionet/Pas kërkesës së Metës, kryeministri: Rrezik imagjinar
Pas kërkesës së presidentit Ilir Meta për rishikimin e konçesioneve të ndërtimiT të hidrocentraleve mbi lumin Vjosë, ka reaguar kryeministri Edi Rama, i cili përmes një statusi në rrjetet sociale tha se këto vepra nuk do të ndërtohen.
“Jam dakord me Ilir Metën që e ardhmja nuk është shkatërrimi, po sa mirë do kishte qenë sikur ta kishte mbrojtur Valbonën nga shkatërrimi kur ishte zv.shef i qeverisë së Saliut, siç mbron sot Vjosën nga rreziku imagjinar i hidrocentraleve që nuk do të ndërtohen!”
Megjithatë, deklarata e Ramës nuk saktëson nëse qeveria është tërhequr nga keto projekte, përsa kohë ekzistojnë 2 kontrata konçesionare të nënshkruara gjatë qeverisjes së majtë për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit dhe Kalivaçit. Ndërkohë që, pyetur nga TV SCAN, kreu i Agjencisë Kombëtare te Mjedisit, Edison Konomi nuk pranoi të japë informacion në lidhje me pajisjen me Deklaratën Mjedisore që lëshon ky institucion e që do i haptë rrugë ndërtimit. Kërkesa e Metës për shpalljen e luginës Park Kombëtar u bazua në studimet dhe qëndrimet e shkencëtarëve shqiptarë e të huaj, të cilët theksojnë nevojën për ruajtjen e sistemit unik që paraqet lumi Vjosë.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.