Rama, inspektime në veri – “Projekti 1 miliard” shtrihet edhe në Kukës
Nis procesi i kompensimit të fermerëve për kafshët e dëmtuara nga dermatoza nodulare. Fermerët e Hasit janë të parët, të cilëve iu zëvendësua çdo kokë gjedhi e prekur nga kjo sëmundje. Tre milionë dollarë u akorduan për vaksinimin për të parandaluar dëmet dhe për të kompensuar plotësisht të gjithë fermerët që humbën gjedhët nga kjo sëmundje.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti u takuan me fermerë të Hasit. Më pas, kryeministri Edi Rama ka inspektuar Spitalin Rajonal të Kukësit, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Sipas ministrit, vetëm vitin e fundit në këtë spital janë investuar rreth 90 milionë lekë, si dhe kanë nisur procedurat për furnizimin me pajisje mjekësore në vlerën e 200 mijë eurove. “Projekti 1 miliard” mundëson rikonstruksione për tetë shkolla në Kukës dhe ndërtimin e dy të rejave.
Kështu u shpreh ministrja e Arsimit, në prani të kryeministrit Rama, gjatë vizitës në shkollën Bajram Curri. Kreu i qeverisë, së bashku me tre ministra, kanë vizituar veriun e vendit për të njohur nga afër problematikat e qytetarëve, por edhe për të inspektuar ecurinë e punimeve në bazë të investimeve të bëra.
Entela Barjamaj/ RTVSCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.