Rama intervistë për “La Repubblica” – Shqipëri-Serbi plan për heqjen e tarifave doganore

Pas takimit me kryeministrin italian Gentiloni, kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për gazetën prestigjioze italiane La Repubblica. Kryeministri u ndal te bashkëpunimi ekonomik rajonal, në veçanti me Serbinë, duke sqaruar se po punohet për heqjen e tarifave doganore.
“Katër vite më parë, unë vizitova Beogradin si kryeministri i parë shqiptar që prej 1946-ës; Presidenti Vucic ishte i pari që vizitoi Shqipërinë pas 60 vitesh. Po ngremë në këmbë një plan ambicioz për të hequr tarifat doganore, lehtësuar tregtinë dhe hap pas hapi, kjo do të na ndihmojë të tejkalojmë dallimet mes nesh, të zgjidhim çështjet tona. Kosova është një pikë e mosmarrëveshjes, por arrijmë ta menaxhojmë. Mund të bashkëpunojmë”.
Kreu i mazhorancës tha se integrimi në Bashkimin Europian, është objektivi kryesor për Shqipërinë dhe shqiptarët, si garancia e vetme për paqe dhe mirëqenie.
“Shqipëria, shqiptarët mbeten vendi dhe populli më europianist në Europë. Dhe jo vetëm sepse duan të bëhen tërësisht pjesë e një blloku politik dhe ekonomik që e ndjejmë si shtëpinë tonë dhe që do të ndihmojë zhvillimin tonë, stabilitetin tonë. Por sepse Ballkani mbetet një rajon ku kujtimi i luftërave është ende i gjallë. Historia mund të përsëritet dhe lindja dhe suksesi i BE-së i detyrohen këtij fakti: Ajo i garantoi popujve europiane paqe dhe mirëqenie, siç nuk kishte ndodhur kurrë në të kaluarën”.
Kryeministri ju përgjigj edhe pyetje për gjeopolitikën rajonale, dhe nëse ka një tërheqje të SHBA-ve nga Ballkani, duke argumentuar se prania e Uashingtonit në rajon është shumë e rëndësishme.
Arbër Hitaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.