Rama, letër kryeministrit francez – Kërkohet mbështetje për integrimin e Shqipërisë në BE

Kryeministri Edi Rama kërkon të sigurojë mbështetjen e Francës dhe të vendeve të tjera të unionit, teksa hapja e bisedimeve për integrim pritet të diskutohet në mbledhjet e ardhshme të Këshillit Europian.
Rama i ka dërguar një letër homologut francez, Edouard Philippe, por edhe kryeministrave të vendeve të tjera, ku përmbledh edhe hapat që vendi ynë ka ndërmarrë në përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe.
Sipas Ramës, integrimi është ajo çka shqiptarët e të gjithë bindjeve politike kanë ëndërruar për dy dekadat e fundit, ndërsa siguroi kryeministrin francez për përgjegjësinë që qeveria ka marrë në zbatimin e reformave dhe luftimin e krimit të organizuar.
“Ditët e fundit, qeveria ime ka aprovuar plane ambicioze për luftimin e krimit të organizuar. Ne i kemi paralajmëruar liderët e bandave: kudo që ata mund të fshihen, ne do t’i gjejmë dhe do t’i arrestojmë, dhe do t’i akuzojmë, me besimin tek sistemi jonë gjyqësor i sapo reformuar që do t’i dërgojë në burg. Ne do të konfiskojmë edhe asetet e tyre të paligjshme”, shkruan Rama.
Kryeministri shqiptar thekson se kriminaliteti shqiptar nuk ka prekur vetëm vendin, ndërsa tani me forcimin e rregullave do të përfitojnë edhe vendet e tjera ku krimi ka gjetur shtrirje.
“Shqiptarët nuk kanë qenë të vetëm në vuajtjen e grabitjes nga bosët e krimit të shtetit tonë. Ne e dimë se disa po qëndrojnë dhe harlisen në kombin tuaj gjithashtu, duke përfituar nga drogërat e paligjshme, prostitucioni, trafiku njerëzor dhe veprimtari të tjera të jashtëligjshme. Ne duam ndihmën tuaj dhe ofrojmë tonën në këmbim, për të kapur këta njerëz dhe për t’i dërguar tek drejtësia”, shkruan kryeministri Rama.
Rama gjithashtu kërkon të theksojë se tashmë Shqipëria nuk është më kryeqyteti europian i kanabisit, duke u bazuar tek të dhënat e survejimit ajror për plantacionet e dyshuara. Ai pranon se ka ende shumë për të bërë dhe se një pjesë e madhe e ndryshimit të Shqipërisë i detyrohet asistencës teknike dhe ekonomike të Bashkimit Europian.
Në fund, Rama shprehet se shpreson që Franca “të mbështesë Shqipërinë teksa lëviz drejt fazës së radhës së zhvillimit të saj, e cila çon në aderimin e plotë dhe anëtarësimin në familjen europiane.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.