Rama mbledhje me ministrat/ Diskutohet rritja e pensioneve. Thirrje: Paguani faturat
Kryeministri Rama ka zhvilluar këtë të mërkurë një diskutim nëpërmejt internetit me ministrant e kabinetit qeveritar, për masat e qeverisë mbi situatën emergjente të shkaktuar nga koronavirusi.
Në bisedën me ministrin Ahmetaj është zbuluar se punonjësit e kopshteve private do të mbulohen nga skema dëmshpërbluese e qeverisë për të marrë pagën e tyre. Sipas ministrit Ahmetaj ata përfshihen automatikisht në paketë për të marrë pagën e tyre për aq kohë sa qëndrojnë në shtëpi për shkak të mbylljes së biznesit.
Ndërkohë, në bisedën me ministren e Financave, Anila Denaj kryeministri bëri thirrje për bizneset të paguajnë tatim-fitimin, ndërsa do të shtyhet vetëm mbyllja e bilanceve, që do të bëhet në korrik
“Taksat dhe sigurimet do të paguhen, sepse ndryshe nuk shkojmë dot përpara në këtë luftë, se përfundojmë në një gropë ku edhe korona nuk na gjen dot nëse do të na kërkojë. Pagesat e dritave do të bëhen një për një, kush nuk i paguan nuk do të ketë drita, nuk është deti kos.
Pasi krijon efekt zinxhir negativ, mund të përfundojmë në kolaps. Kemi falur kamatë vonesat komplet, tani të gjithë janë vetëm në raport me aktualitetin. Kush thotë se nuk kam mundësi, të kursejë dritat, nuk ka rrugë tjetër.”- u shpreh kryeministri.
Shefi i qeverisë njoftoi se në javën e parë të prillit do të bëhet indeksimi i pensioneve. Ai tha se janë 20 mln euro që duhet t’u shkojnë pensionistëve përmes indeksimit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.