Rama në Paris- Nënshkruhet partneriteti strategjik Shqipëri – Francë

Gjatë vizitës së Kryeministrit Rama në Paris, dy qeveritë kanë nënshkruar një sërë marrëveshjesh të cilat ngrenë kuadrin e bashkëpunimit dypalësh Shqipëri – Francë në nivel strategjik.
Gjatë vizitës palët vunë theksin në rëndësinë e bashkëveprimit afatgjatë midis dy vendeve në fushën e sundimit të ligjit, mbrojtjes dhe sigurisë, në rrafshin dypalësh, rajonal dhe më gjerë.
Kryeministri Rama u takua me homologun francez Bernard Cazeneuve, ku e falënderoi për mbështetjen e Francës në procesin e integrimit europian të vendit tonë.
Nga ana tjetër Cazeneuve vlerësoi progresin e Shqipërisë dhe ecurinë e reformave në fushën e sundimit të së drejtës, përpjekjet e suksesshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Kryeministri francez falënderoi gjithashtu palën shqiptare për bashkëpunimin me autoritetet franceze në fushën e luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Bashkëbiseduesit veçuan rëndësinë e trefishtë të zbatimit të reformës në drejtësi si një reformë të nevojshme për të rritur besueshmërinë e institucioneve të drejtësisë, si dhe impaktin e saj në fushën e sigurisë dhe në përforcimin e sundimit të së drejtës në ekonomi.
Në përfundim të takimit, në praninë e dy kryeministrave, Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati dhe Ministrat francezë Fekl, Desir dhe Todeschini, nënshkruan deklaratën e partneritetit strategjik midis dy vendeve si dhe marrëveshjet për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe atë të sigurisë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.