Rama për “ Financial Times” – “Nuk presim surpriza. Vetëm Merkel e kupton rëndësinë tonë”
“Ne do të na dukej shumë e çuditshme në rast se, Shqipëria nuk do të çelte negociatat me Bashkimin Europian menjëherë, pasi ka bërë ekzaktësisht atë që i është kërkuar”-ka deklaruar kryeministri Rama për Financial Times.
“Ne duam vetëm që të marrim çmimin e asaj që kemi bërë dhe që procesi të jetë i drejtë dhe i parashikueshëm”, shtoi kreu i ekzekutivit. Financial Times ndërkohë e vlerëson intervistën e kryeministrit shqiptar me tone të tjera, pasi nënvizon faktin se, Rama reflekton mërzinë e Tiranës zyrtare sa i përket mënyrës se si Brukseli e ka trajtuar deri më tani.
Kryeministri shqiptar për të disatën herë i bën apel edhe Brukselit zyrtar që të çelë negociatat me Shqipërinë përpara samitit të Bashkimit Europian në muajin Qershor. Kjo gjë do t`i mundësonte Shqipërisë që të kishte të njëjtën gjatësi vale në këtë proces së bashku me vende si Mali i Zi apo Serbia.
Nga ana tjetër, Rama nuk ka ngurruar që të përsërisë rrezikun rus. “Ata, Moska zyrtare, asnjëherë nuk janë dorëzuar në të parë rëndësinë gjeopolitike të rajonit, gjë që nuk shihet nga shumëkush në Europë, me përjashtim të kancelares Merkel”, thotë Rama.
“Është e çmendur të mendosh që, Ballkani Perëndimor mund të lihet mënjanë, jashtë Europës”-nënvizon ai. Kryeministri shqiptar flet edhe për progresin e madh të Shqipërisë, sipas tij, në luftën ndaj kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve, si dhe për negociatat me Greqinë, të cilat do të japin rezultate brenda Qershorit.
E ndërkohë që Tirana zyrtare pret çeljen e negociatave, Brukseli ka konfirmuar se, samiti mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor, i pari që prej 2003 në Lisbonë, do të mbahet në datë 17 maj në Sofje. Ndër të tjera, Brukseli konfirmon se, çështja e zgjerimit të unionit do të adresohet nga Këshilli në muajin Qershor.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.