Rama për negociatat: Zgjidhja na jep 12 muaj kohë – Nuk ka kushte të reja për çeljen e bisedimeve
Kryeministri Edi Rama foli për mediat pas vendimmarrjes së Këshillit Europian për shtyrjen e dhënies së një date për çeljen e bisedimeve. Rama e ka konsideruar hapësirën kohore deri në dhënien e një date zyrtare si diçka normale, e cila përsërit rastin e hapjes së negociatave me Serbinë dhe Malin e Zi. Sipas kryeministrit, një ndikim për shtyrjen e kësaj date kanë edhe zgjedhjet brenda Bashkimit Europian, në mungesë të të cilave do të kishte një datë më të afërt.
“Vendosja në fund e datës së nisjes së bisedimeve në 12 muaj nga sot, si dhe drita jeshile për të nisur përgatitjet për negociatat me Komisionin Europian është një zgjidhje optimale kompromisi, e cila e blindon përfundimisht perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë me një kalendar të miratuar nga Bashkimi Europian”, u shpreh kryeministri.
Sipas Ramës, deri në qershorin e ardhshëm Shqipëria do të ketë kryer të gjithë punën përgatitore për nisjen e negociatave, punë e cila do të nisë që në Korrik me ardhjen e ekipit nga Komisioni Europian.
“As Shqipëria e as Maqedonia nuk humbasin asnjë ditë me këtë zgjidhje, por na jep 12 muaj kohë për të ecur me reformat, të cilat do të duheshin ecur edhe sikur hipotetikisht data të ishte sot. Nuk ka kushte të reja, por ka një datë për çeljen e negociatave, si një afat drejt të cilit si Shqipëria dhe Maqedonia janë të kushtëzuara me vijimin e reformave tashmë të ndërmarra dhe me vijimin e zbatimit tashmë të nisur”, tha Rama.
Gjatë fjalimit të tij, Rama tregoi edhe për mbështetjen e treguar për integrimin e Shqipërisë nga krerët e shteteve të Bashkimit Europian, si dhe lajmëroi për vizitën e Presidentit të Francës Emmanuel Macron gjatë këtij viti. Kryeministri vlerësoi edhe mbështetjen e vendeve fqinje si Italia dhe Greqia, ndërsa nuk munguan akuzat për opozitën.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.