Rama për Reuters: “S`e di çfarë do prodhojë Trieste. Hapim negociatat në 2017”

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters, kryeministri i vendit, Edi Rama, deklaroi se Bashkimi Europian do të hapë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në union në fund të këtij viti.
Ndër të tjera, ai shtoi se, zgjedhjet presidenciale në Francë dhe ato të përgjithshme në Gjermani në muajin Shtator, do t’i japin një frymëmarrje projektit për zgjerimin e Europës.
Për kryeministrin Rama, Shqipëria ka shanse të mira për të siguruar fillimin e negociatave për anëtarësim. Ndër të tjera, Rama hodhi poshtë pretendimin se, nxitja e Bashkimit Europian për një treg të përbashkët në Ballkan, është një alternativë e anëtarësisë në union. “6 vendet e Ballkanit Perëndimor nuk do të mund ta përtypnin kurrë diçka të tillë”, shtoi Rama për Reuters.
Projekti i tregut të përbashkët në rajon do të jetë në qendër të bisedimeve të samitit të Treistes më 12 Korrik, gjë që e konfirmoi vetë komisioneri për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johannes Hahn.
Sa i përket marrëveshjes mbi tregun e përbashkët, kryeministri Rama deklaroi mbështetjen e Shqipërisë, por theksoi se i druhet perspektivës së një marrëveshje në Trieste.
“Do të shohim”, shtoi ai, sa i përket perspektivës së një marrëveshje në Trieste.
Projekti i mbështetur dhe promovuar nga Bashkimi Europian në fakt shihet me skepticizëm nga disa vende të rajonit, ku Kosova është thuajse e deklaruar kundër projektit.
“Kur ne nisëm këtë projekt në Berlin, ishte një lindje dielli e shndritshme. Kur ikëm në Vienë, ishte një drekë e këndshme. Në Paris ishte perëndim. Nuk e di nëse në Trieste do të jetë një natë e plotë apo një mëngjes i ri. Nuk e di”, nënvizoi për Reuters Kryeministri Rama.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.