Rama prezanton masat “e rrepta”! Mbyllen klubet, palestrat, tavolinat 2 metra larg dhe rritje rroge për infermierët
Në mbledhjen e dytë të qeverisë, pasi janë konfirmuar rastet e para me koronavirus në Shqipëri, kryeministri Edi Rama ka prezantuar masat e reja të marra për të parandaluar një bilanc më të rënduar.
Njësoj si në Italinë fqinje do të mbyllen pub-et, clubet, palestrat dhe ambientet e mbyllura me shumë njerëz si një masë mbrojtëse. Sa i përket restoranteve dhe lokaleve ato nuk do të mbyllen, por do të risistemojnë ambientin e tyre duke vendosur tavolinat me hapësirë nga njëra-tjetra prej dy metra.
Gjithashtu, kreu i qeverisë dha lajmin se mjekët dhe infermierët në vijën e parë të frontit të “luftës” ndaj koronavirusit do të paguhen 1000 euro plus në muaj dhe 500 euro plus për sanitaret dhe shoferëve të ambulancave. Punëtorët e administratës që mund të bëjnë punën nga kompjuteri në shtëpi, do të marrin pushim.
Shefi i mazhorancës tha se pritet që të ketë një kurbë rritëse të infeksionit në Shqipëri, duke paralajmëruar se edhe masat kufizuese mund të vijnë duke u përforcuar edhe më shumë. Duke mos e lënë të kuptuar drejtpërdrejt, Rama hodhi edhe hipotezën se mund të shkohet deri në burg për ata qytetarë që rrezikojnë të tjerët. Kryeministri dha shembullin e Izraelit që për personat që shkelnin rregullat e përbashkëta të parandalimit dhe të ruajtjes nga koronavirusi, shkohej deri në burg.
Aktualisht nëse dikush rrezikon të tjerët qeveria ka parashikuar gjobë deri në 5 milionë lekë të vjetra, por pritet të shihet nëse masa ndëshkuese do të rritet në varësi se si do të shkojë situata, apo nëse do të arrihet deri në burg.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.