Rama takim së shpejti me homologun grek Tsipras
Kryeministri i Shqipërisë ka deklaruar se së shpejti do të takohet me homologun grek Alexis Tsipras.
“Pritet që së shpejti të takohemi, nuk e di nëse do të jetë në Tiranë apo Athinë, por pritet së shpejti”, ka deklaruar Rama për agjencinë greke amna.gr.
“Ne jemi në mes të një dialogu shumë intensiv për shumë çështje, disa që kanë ekzistuar për vite me radhë dhe të tjerë që nuk janë adresuar me qëllim të plotë dhe vendosmëri për një zgjidhje”, tha ai.
“Unë mendoj se jemi pranë zgjidhjes së të gjitha këtyre çështjeve dhe kjo do të ishte e mrekullueshme”.
Rama e përshkroi lidhjet dypalëshe mes dy vendeve si “historike dhe tradicionale”.
“Kjo është një marrëdhënie historike dhe tradicionale e fqinjësisë dhe si gjithmonë me fqinjët ndodh që jo çdo gjë shkon mirë. Ne e dimë këtë nga fqinjët tanë, me çdo fqinj, qofshin në fshat ose në qytet, ose midis vendeve , është gjithmonë e njëjtë. Ju mund ta kuptoni plotësisht këtë, nëse shikoni një ndeshje futbolli midis fqinjëve, është si lufta”, tha ai, duke qeshur, shkruan amna.gr.
Rama ka theksuar se Shqipëria është shumë “gatshme të përmirësojë këtë marrëdhënie”.
“Si gjithmonë ndodh me fqinjët, gjërat nuk shkojnë gjithmonë mirë. Tani marrëdhënia është e mirë dhe gjëja më e rëndësishme është që nuk do të ketë armiqësi mes popujve. Grekët e duan Shqipërinë, shqiptarët e duan Greqinë, pjesa tjetër është vetëm politika,” ka thënë Kryeministri.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.