Rama, takime me biznesin e vogël në Berat: “Zerimi i Tatim Fitimit dhe TVSH-së, frymëmarrje për sipërmarrjet”
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Turizmin, Blendi Klosi dhe nga kryetari i Bashkisë Berat, Ervin Demo, zhvilloi disa takime me përfaqësuesit e biznesit të vogël në qytetin e Beratit. Gjatë fjalës së tij, Rama tha se biznesi i vogël po merr frymë lirisht, ndonëse në një periudhë të vështirë pandemie, falë masave lehtësuese, si zerimi i Tatim Fitimit dhe TVSH-së.
“Do të mbaheni me çdo kusht, edhe ne ju kemi dhënë mbështetjen që të mbaheni, – shprehet gjatë bisedës me të Kryeministri Rama. – Nuk keni Tatim-fitimi, nuk keni TVSH, të gjitha në familje dhe të mbahemi bashkërisht. Shpresoj që së shpejti të kemi lajme të mira për rritjen e dozave të vaksinave, të shtojmë vaksinimin dhe të bëjmë çmos që në sezonin e verës, një pjesë e madhe e Shqipërisë të jetë e çliruar nga ankthi i infektimit. Durim dhe kurajë”.
Ndërsa, kryetari i Bashkisë së Beratit, Ervin Demo tha se inkurajimi i biznesit të vogël përmes masave lehtësuese ka patur efekte shumë pozitive dhe se duke parë ecurinë e fushatës së vaksinimit, pritet që 6 mujori i dytë i vitit të ketë një rritje të turizmit, që për Beratin është shumë i rëndësishëm.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.