Raporti i Bankës së Spanjës: “Duhen reforma ekonomike për të shmangur borxhin kronik”
Ekonomia e varur nga turizmi e Spanjës ka nevojë për reforma të mëdha strukturore për të shmangur nivele kronike të borxhit publik që mund të pengojnë rritjen ekonomike në afat-gjatë, sipas Bankës së Spanjës. Spanja, që është një prej vendeve më të goditura nga koronavirusi, po i drejtohet performancës më të dobët në historik, me një tkurrje prej 9-11.6% për vitin e plotë, sipas projeksioneve të bankës.
“Në një skenar hipotetik ku nuk zhvillohen reforma strukturore nga autoritetet, norma e borxhit publik ndaj Produktit të Brendshëm Bruto do të qëndrojë sipër 100% deri në fund të vitit 2030”, sipas raportit vjetor të bankës qendrore. Raporti përsëriti komentet e guvernatorit Pablo Hernandez de Cos, duke theksuar rëndësinë e reformave dhe parashikuar një rimëkëmbje të ngadaltë më vonë gjatë vitit.
Megjithatë, institucioni paralajmëroi gjithashtu për një tkurrje akoma më të madhe këtë vit prej 15.1% në skenarin më të keq, ku shfaqet një valë e re e koronavirusit. Në këto rrethana, Banka e Spanjës bëri të ditur se borxhi mund të rritet në 126.7% në vitin 2020 dhe në 130% në dy vitet e ardhshme, ndërkohë që deficiti publik mund të arrijë 14% në vitin 2020.
Guvernatori theksoi në raport se është e rëndësishme për Fondin Europian të Rimëkëmbjes që të ketë mundësi të zgjerohet. Liderët e Bashkimit Europian ranë dakord më herët gjatë Qershorit se duhen veprime urgjente për të ndihmuar ekonomitë e goditura nga virusi, por qëndrojnë ende të ndarë mbi propozimet e Francës dhe Gjermanisë për disponimin e granteve ndaj shumë shteteve të goditura rëndë si Spanja dhe Italia.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.