Raporti i Bundesbank – Ekonomia gjermane vazhdon e fortë, por ka humbur pak vrull
Ekonomia gjermane pritet të vazhdojë rritjen e qëndrueshme, por ka humbur pak vrull, raporton Bundesbank duke shtuar se rreziku i luftës tregtare vazhdon. Sipas raportit mujor të Bankës Qendrore, pjesa më e madhe e rënies në tremujorin e parë erdhi prej faktorëve të përkohshëm, kështu që pritet një rimëkëmbje.
“Ne presim që fuqizimi i ekonomisë gjermane të vazhdojë. Megjithatë, vrulli ekonomik është ngadalësuar, me normën e rritjes që është pak sipër nivelit potencial”, deklaron Bundesbank. Për rrjedhojë, sipas institucionit, shfrytëzimi i kapacitetit do të rritet me një normë më të ngadaltë. Rritja ekonomike e Gjermanisë u përgjysmua në 0.3% gjatë tremujorit të parë, që është niveli më i ulët në 6 tremujorë radhazi. Kjo shtoi shqetësimet se fuqizimi i ekonomisë së Eurozonës mund të ketë arritur drejt një fundi.
Ngadalësimi vjen në një kohë të vështirë për Bankën Qendrore Europiane, ku politikëbërësit po debatojnë mbi përfundimin e skemës së blerjes së aktiveve, ndërkohë që rritja e fortë e ekonomisë deri më tani pritej të nxiste inflacionin. Megjithatë, Bundesbank i hodhi poshtë këto shqetësime, duke shtuar se ndjesia e konsumatorit është pozitive dhe rritja ekonomike globale do të qëndrojë e fortë. Banka Qendrore nënvizoi gjithashtu rrezikun e luftës tregtare mes Kinës dhe Shtetet e Bashkuara.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.