Raporti i Eurostat – Për çfarë u përdor interneti gjatë vitit 2020?
Në vitin 2020, internet u përdor kryesisht për të dërguar dhe për të marrë e – mail, sipas raportit më të fundit të Eurostat (74%), duke treguar kështu se puna nga shtëpia është ajo që ka dominuar aksesin në internet gjatë COVID.
Nga ana tjetër, 69% e përdorën internetin për të gjetur informacione në lidhje me mallrat dhe shërbimet, nisur nga fakti që masat e distancimit social kanë bërë që shitjet online “të shpërthejnë”. Po ashtu, rezulton se 68% e njerëzve kanë përdorur internetin për të dërguar mesazhe, ndërsa 65% për të lexuar lajmet online.
Raporti i Eurostat ka marrë në shqyrtim vetëm vendet e Bashkimit Europian, sidoqoftë, është një tregues i trendit të përdorimit të internetit gjatë vitit pandemik.
Ndërkaq, nga të gjithë aktivitetet që mund të kryhen në internet, thirrjet telefonike apo video janë ato që kanë regjistruar rritjen më të madhe në krahasim me vitin 2019, ose konkretisht, 52% më shumë se në vitin paraardhës.
Nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian, telefonatat me audio dhe video ishin më të populluara në Qipro, me 85% dhe në Holandë, me 83%. E kundërta rezultoi në Çeki dhe Slloveni, ku vetëm pak më shumë se gjysma e grupmoshës 16-74 vjeç (52%) ka kryer video-telefonata në 3 mujorin e fundit të 2020-ës.
Sigurisht që në një vit pandemik nuk do të mungonte as aksesi në internet për të kërkuar informacione mbi shëndetin, që ka zënë një hapësirë 55%. Përqindje kjo e cila rezulton të jetë më e ulët se përdorimi i internetit për të dëgjuar muzikë, 56%, apo përdorimi i rrjeteve sociale, po njësoj 56%.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.