Raporti i hendekut gjinor – Pensioni i burrave, 30% më i “majmë” se i grave
Gratë marrin më pak pension se burrat! Hendeku gjinor nuk është një temë e re, sidoqoftë, raportet e herëpashershme të rikthejnë në kujtesë disbalancat e raportit vajza dhe gra, djem dhe burra.
Sipas studimit më të fundit të Eurostat, gratë në Bashkimin Europian marrin një pension afro 30% më të ulët se burrat në Bashkimin Europian. Raporti është kryer për vitin 2019 dhe tregon se me kalimin e kohës, sidoqoftë, hendeku i pensioneve gjinore është ulur me 5%, nga viti 2010, kur kjo diferencë ishte 34%.
Nga ana tjetër, Eurostat tregon se disbalanca në pensione ndryshon nga një shtet i Bashkimit Europian në një tjetër. Diferenca më e madhe u vu re në Luksemburg, ku gratë e moshës mbi 65 vjeç merrnin 44% më pak pension sesa burrat. Më tej, Malta dhe Holanda vinin në vend të dytë, me një diferencë përkatësisht 40%. Qipro, me 39%, Austria me 37% dhe Gjermania me 36%.
Shtetet më “model” sa i takon disbalancave të ulëta në pensione rezultuan Estonia, ku sipas Eurostat diferenca në vitin 2019 midis pensionisteve dhe pensionistëve ishte me vetëm 2%, Danimarka me 7%, si dhe Hungaria, me 10%.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.