Raporti i HSBC – Fitimi përpara taksave rritet sipër projeksioneve
Banka më e madhe në Europë, HSBC raportoi rezultatin për tremujorin e parë me një fitim përpara taksave në 5 miliardë dollarë, në rënie me 19% nga viti i kaluar. Megjithatë, projeksionet e analistëve qëndronin më poshtë, në 4.3 miliardë dollarë.
Të ardhurat e bankës arritën 13 miliardë dollarë për tremujorin. Kreu ekzekutiv i HSBC, Stuart Guliver tha se shifrat janë pozitive dhe shpjegoi se fitimet kanë rënë për shkak të një ndryshimi të trajtimit kontabël të vlerës së drejtë të borxhit. Përveç kësaj, tremujori i parë 2016 përfshinte njësinë e biznesit në Brazil që banka e shiti verën e kaluar.
“Bankingu Global dhe Tregjet financiarë kanë pasur një tremujor të fortë. Bankingu tregtar ka sjellë të ardhura më të mëdha ndërsa bankingu retail dhe njësia e manaxhimit të pasurisë janë nxitur nga normat më të larta të interesit dhe kërkesa më e madhe e konsumatorëve për investim”, tha kreu ekzekutiv i HSBC. Ai shtoi se banka ka përfunduar një plan të riblerjes së aksioneve të veta që lajmëroi në muajin Shkurt. Edhe investitorët e mirëpritën rezultatin e bankës, ndërkohë që vlera në treg u rrit me rreth 3%.
Deri më tani, rivalë si Royal Bank of Scotlad dhe Lloyds kanë raportuar rezultate të forta, ndërsa Barclays zhgënjeu në aktivitetin e tregtimit të titujve të borxhit. HSBC publikoi gjithashtu një pozicionim më të fortë të kapialit. Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit (Tier 1 capital ratio) u rrit në 14.3% nga 11.9% që ishte në tremujorin e parë 2016.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.