Raporti i KE për kandidatët: “Kriza politike në Shqipëri ka dëmtuar ekonominë”
Komisioni Europian ka publikuar ditën e Mërkurë raportin e tremujorit të parë të këtij viti për vendet kandidate. Sa i përket projeksioneve për ekonominë shqiptare, ato mbeten të pandryshuara, në 3.5% për këtë vit, dhe në 3.6% për vitin e ardhshëm.
Kjo do të thotë se sipas projeksioneve të Komisionit Europian, Shqipëria këtë vit është ekonomia e dytë pas Malit të Zi për rritjen më të shpejtë ekonomike ndër vendet kandidate dhe ajo me rritjen më të shpejtë ekonomike vitin e ardhshëm së bashku me Maqedoninë.
Në kapitullin dedikuar Shqipërisë, Komisioni Europian thotë: “Situata e paqartë politike përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 18 qershorit mund të ketë pasur një efekt negativ në ekonominë Shqiptare gjatë tremujorit të parë, pavarësisht se diçka e tillë nuk mund të konfirmohet ende nga shifrat”.
Sa i përket tregut të punës, institucioni nënvizon se, papunësia te të rinjtë mbetet ekstremisht e lartë, pavarësisht se ka pësuar një rënie nga kulmi i prekur në vitin 2015. Sa i përket sektorit financiar, Komisioni Europian thekson se, kreditimi vijon të mbetet i dobët pavarësisht se, gjatë tremujorit të parë normat mesatare të interesit të huave për familjarët dhe biznesin fiksoheshin në 7.2%, nga 7.9% të së njëjtës periudhë të një viti më parë.
Raporti vë theksin edhe te përmirësimi i raportit mes kreditimit në lek dhe euro në të gjithë sektorët, në favor të kredive në lek. Sektori bankar vlerësohet i mirëkapitalizuar.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.