Raporti i lumturisë nga OKB – Tkurret sërish lumturia e shqiptarëve, në vendin e 109-të

Shqipëria është shteti i 109-të në Botë sa i përket lumturisë. Në këtë përfundim arrin Organizata e Kombeve të Bashkuara në raportin e lumturisë 2017, i cili publikohet në ditën ndërkombëtare të lumturisë.
Sipas këtij raporti, ku analizohen 155 shtete të ndryshme të botës, shqiptarët janë më të palumturit në Europë pas ukrainasve.
Në raportin e vitit të kaluar, Shqipëria mbante të njëjtin pozicion, por një vit më parë, analizoheshin 157 shtete.
Pavarësisht se nuk ka humbur asnjë pozicion, lumturia e shqiptarëve vijon të tkurret nënvizon OKB. Kjo duket nga pikëzimi. Ndërkohë që një vit më parë vendi ynë grumbullonte 4655 pikë, këtë vit grumbullon 4644 pikë.
Në raportin e vitit 2015, Shqipëria zinte vendin e 95-të dhe në atë paraardhës vendin e 62-të, çka përkthehet në një humbje pozicionesh me plot 47 vende.
Në raportin e vitit aktual, Shqipëria lë pas me diferencë të theksuar të gjitha shtetet e tjera. Maqedonia, që është edhe ndjekësja më e afërt pozicionohet në vendin e 92-të. Kosova ndërkohë renditet e 78-ta.
Ky raport merr në konsideratë faktorë si Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë, perceptimi i korrupsionit, mbështetja sociale, apo jetëgjatësia.
Raportet e tre viteve të fundit fotografojnë impaktin e krizës financiare globale mbi gjendjen psikologjike të popullatës.
Në një tabelë të veçantë, ku renditen vendet të cilat kanë pësuar edhe ndryshimin më të madh gjatë periudhës 2005-2016, vihet re qartë pozicionimi i Shqipërisë si një ndër vendet me progresin më të vogël, duke u klasifikuar e fundit ndër ato vende që të paktën nuk kanë bërë hapa prapa.
Norvegjia, Danimarka, Islanda janë vendet më të lumtura në Botë, ndërkohë që Republika e Afrikës Qendrore është vendi më i palumtur në botë sot.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të qëndrojnë jashtë listës së dhjetë vendeve më të lumtura. Një panoramë e tillë, thekson faktin se, ky indeks është i lidhur ngushtë me klimën ekonomike. Raporti i referohet të dhënave të mbledhura gjatë periudhës 2014-2016.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.