Raporti i Moody’s, Rama: Vlerësimi për Shqipërinë në B1 stabël, një lajm i mirë. Konfirmohet potenciali ekonomik i Shqipërisë
Kryeministri Rama komenton raportin e fundit të Moody’s mbi vlerësimin për ekonominë financat, ku sipas tij përforcon vlerësimin e kreditimit për Shqipërinë, duke e vendosur në B1 stabël. Sipas Ramës ky është një lajm shumë i mirë që reflekton përshpejtimin e ritmeve të rritjes ekonomike, lënien mbrapa njëherë e mirë të kapitullit të zi të borxheve që trashëguara.
“Në raportin e tij më të fundit, Moody’s – kolosi ndërkombëtar i vlerësimit të ekonomisë dhe financave – përforcon vlerësimin e kreditimit për Shqipërinë, duke e vendosur në B1 stabël. Ky është një lajm shumë i mirë që reflekton përshpejtimin e ritmeve të rritjes ekonomike, lënien mbrapa njëherë e mirë të kapitullit të zi të borxheve që trashëguam si lak në fytin e ekonomisë kombëtare dhe konfirmon potencialin ekonomik të Shqipërisë për shume më shumë investime të huaja në të ardhmen. Edhe Moody’s vlerëson lart si arsye të këtij rezultati pozitiv reformat e qeverisë ku spikat angazhimi për reformën në drejtësi”.
Gjithashtu në këtë postim, Rama ka bërë një përmbledhje të raportit të fundit:
“Pikat e forta të kreditimit që përforcojnë vlerësimin e Shqipërisë në nivelin B1 stabël përfshijnë: (1) progresin e kryer përmes fshirjes së borxheve të prapambetura dhe konsolidimit fiskal; (2) vazhdimi i përpjekjeve për reformimin e administratës dhe sistemit të drejtësisë në kuadër të integrimit në BE; (3) stabilitet i fortë i çmimeve; (4) rritje të investimeve të huaja direkte prej projekteve të mëdha.
Vlerësim për përpjekjet e Shqipërisë në adresimin e sfidave të vazhdueshme në kuadër të respektimit të ligjit dhe kontrollit të korrupsionit. Vendimi i Këshillit të Europës në Qershor 2014 për dhënien e statusit të vendit kandidat ka nxitur progres në fushat kyçe, duke përfshirë depolitizimin e administratës publike, forcimin e sistemit gjyqësor, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe respektimin e të drejtave njerëzore dhe të drejtave të pronës.
Perspektiva e qëndrueshme e vlerësimit të Shqipërisë me B1, reflekton përpjekjet për konsolidimin fiskal përmes bashkëpunimit të ngushtë me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), krahas statusit të vendit kandidat në BE, i cili përfaqëson një pikë referimi për reformat institucionale dhe një faktor potencial për tërheqjen e IHD-ve”, shkruan Rama.
Duke bërë një analizë të raportit, Rama ka renditur edhe faktorët që mund të sjellin rritje të vlerësimit.
“Progresi në konsolidimin fiskal dhe uljen e mëtejshme të borxhit publik, në mbështetje të forcimit të institucioneve – duke përfshirë suksesin në luftën ndaj korrupsionit dhe reformën e gjyqësorit – do të sjellin rritje të konkurrueshmërisë dhe përmirësim të klimës së të bërit biznes, si dhe një vlerësim pozitiv në kreditim”.
Ekskluzive/Konfirmohet B1 – Moody`s për Shqipërinë: zgjedhjet, drejtësia dhe kriza
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.