Raporti i Mueller godet Trump – Nuk detyron shkarkimin, por jep detaje të lidhjeve me Rusinë
Raporti i Robert Mueller mbi rolin e Rusisë në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara në vitin 2016, ofruan detaje të përpjekjeve të Donald Trump për ta penguar hetimin, duke i dhënë demokratëve municion kundër republikanit.
Raporti prej 448 faqesh, që përfundoi pas 22 muajsh të hetimeve, dha plot detaje se Trump ka penguar drejtësinë, por nuk arriti të konkludonte se ai ka bërë krim. Mueller theksoi se Kongresi ka fuqinë për të vendosur nëse Trump ka shkelur apo jo ligjin dhe demokratët premtuan të nisin shpejtë hetimin në kongres të Presidentit. Megjithatë, liderët e partive përjashtuan mundësinë e shkarkimit të presidentit 18 muaj përpara zgjedhjeve presidenciale.
Shumë prej zbulimeve të raportit do të citohen gjatë fushatës, ndërkohë që demokratët do përpiqen të pengojnë rizgjedhjen e Trump. Raporti i Muller vë në dukje lidhje të shumta mes Qeverisë ruse dhe fushatës së Trump dhe bën të ditur se ekipi i presidentit priste të përfitonte nga informacioni i vjedhur dhe i publikuar nga Rusia. Me Informacion, i referohej emaile-ve të hakuara të demokratëve.
Megjithatë, Mueller, ish drejtori i Byrosë Federale të Hetimit, tha se nuk ka mjaftueshëm prova që të vërtetohet se fushata e Trump është përfshirë në një komplot kriminal me Moskën.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.