Raporti i OSBE/ODIHR – KQZ gati për zbatimin e rekomandimeve
Kreu i KQZ është shprehur se ky institucion është i gatshëm që të zbatojë rekomandimet e dhëna në raportin përfundimtar për zgjedhjet e 25 qershorit nga OSBE/ODIHR. Një dalje për median Klement Zguri është shprehur se do të merren në konsideratë të gjitha rekomandimet dhe do të punohet për zbatimin e tyre.
“Raporti nuk është “buqetë me lule” për asnjë nga aktorët e zgjedhjeve në Shqipëri. Nuk hartohet për këtë qëllim. Për të gjithë, përfshirë KQZ-në, ai është mjet pune, është udhërrëfyes. Ndaj pjesa më e rëndësishme e tij ngelen gjithmonë vërejtjet, kritikat dhe rekomandimet. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i marrë ato seriozisht si çështje prioritare të agjendës së vet për të analizuar problematikën e hasur gjatë procesit zgjedhor dhe për të hartuar një paketë me propozime për zgjidhjen sa më efikase të tyre”, tha Zguri.
Referuar transparencës së donacioneve nga subjektet politike Zguri është shprehur se do të bashkëpunojnë me të gjitha instancat për të bërë transparencë sa i përket financimeve.
“KQZ po bashkëpunon intensivisht me donatorët dhe ekspertë të fushës me qëllim që të bëjë gati pa vonesë aktet e nevojshme nënligjore për një metodologji të shëndetshme të raportimit financiar dhe për akses të plotë në informacionin për financat e fushatës, përpara dhe pas datës së zgjedhjeve” pohoi kreu i KQZ.
Më tej Zguri është shprehur se Raporti e gjen KQZ-në gati, të përgatitur dhe optimiste për një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.