Raporti i Policisë – 9 biznese të gjobitura dhe 3 administratorë të proceduar penalisht, në 24 orët e fundit.
Policia e Shtetit ka njoftuar se gjatë kontrolleve kundër informalitetit në Tiranë, ka gjobitur me 50.000 lekë secili 7 administratorë në tregun agroushqimor, në minimarkete dhe markete, pasi është konstatuar abuzim me listën e çmimeve dhe mungesë e lëshimit të kuponave tatimorë.
“Gjithashtu, po në Tiranë u procedua penalisht një administrator, për mospagim taksash dhe tatimesh, si dhe fshehje të ardhurash, pasi në farmacinë e tij tregtonte medikamente pa kupon tatimor” shkruan policia.
Po ashtu, edhe në qytetin e Vlorës, gjatë 24 orëve të fundit janë ndëshkuar me 50.000 lekë secili dy administratorë subjektesh, për shkak të moslëshimit të kuponit tatimor.
“Gjithashtu, po në Vlorë u proceduan penalisht një shtetas, pasi është konstatuar duke ushtruar aktivitet tregtar të padeklaruar në institucionet përkatëse dhe një tjetër shtetasi, pasi u konstatua se ushtronte aktivitetin tregtar në mënyrë të parregullt” shton më tej policia, duke i bërë thirrje qytetarëve që të denoncojnë në 112 dhe Komisariatin Dixhital, çdo rast të abuzimit me çmimet dhe moslëshimin e kuptonit tatimor.
Në total, sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, janë 9 biznese të gjobitura dhe 3 administratorë të proceduar penalisht, në 24 orët e fundit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.