Raporti i Politikës Monetare, Guvernatori Sejko: PBB u rrit me 5.5% gjatë tremujorit të parë të vitit, tejkaloi pritjet tona
“Ekonomia shqiptare shfaqi shenja inkurajuese gjatë gjysmës së parë të vitit”. Ka qenë kjo deklarata e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Gent Sejko gjatë prezantimit të Raportit Tremujor të Politikës Monetare.
“Informacioni i marrë në analizë në këtë raport, tregon se rikuperimi i aktivitetit ekonomik po fiton shpejtësi. Prodhimi i brendshëm bruto u rrit me 5.5% gjatë tremujorit të parë të vitit, një normë kjo e cila tejkaloi pritjet tona. Analiza e informacionit të disponuar sugjeron një përshpejtim të mëtejshëm të normës së rritjes në tremujorët në vijim.
Për më tepër, ky rikuperim mbështetet në një gamë të gjerë faktorësh dhe është prezent në thuajse të gjithë sektorët e ekonomisë. Reduktimi i kufizimeve falë procesit të vaksinimit, rritja e besimit të biznesit e konsumatorit, përmirësimi i ekonomive partnere, si dhe politikat mbështetëse monetare e fiskale, kanë sjellë rritje të konsumit të familjeve, të investimeve publike e private, si dhe të eksporteve. Nga kjo ecuri kanë përfituar si sektori prodhues dhe ai i shërbimeve, duke ofruar më shumë frymëmarrje për biznesin dhe duke krijuar premisa për rritjen e punësimit e të pagave në të ardhmen.
Në veçanti, kursi stimulues i politikës monetare ka ofruar një ambient me kosto të ulëta financimi, me kushte të përshtatshme kreditimi, dhe me kurs relativisht të qëndrueshëm këmbimi. Ky ambient financiar ka mundësuar një rritje të qëndrueshme të kredisë për sektorin privat, e vlerësuar rreth nivelit 7.7% në tremujorin e dytë” deklaroi Guvernatori.
Sipas drejtuesit të BSH-së, këto trende pozitive e kanë shtyrë Bankën qendrore të rishikojnë për lart projeksionet e rritjes ekonomike për vitin 2021, dhe kanë përforcuar më tej pritjet për kthimin e inflacionit në objektiv gjatë vitit 2022.
“Megjithatë, Banka e Shqipërisë konstaton se inflacioni vijon të mbetet nën objektiv, ndërsa punësimi është ende poshtë nivelit që kishte para pandemisë. Po ashtu, Banka e Shqipërisë gjykon se rikuperimi i qëndrueshëm i ekonomisë duhet të vijojë të ankorohet në kushte të përshtatshme financimi përgjatë gjithë horizontit afatmesëm, dhe se rreziqet e kahut të poshtëm, e sidomos ato të lidhura me ecurinë e pandemisë dhe kufizimet që mund të burojnë prej saj, janë ende të pranishme” vijoi Guvernatori.
Sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për të mbështetur si rikuperimin e qëndrueshëm të ekonomisë ashtu dhe kthimin e inflacionit në objektiv. Për këtë arsye, ai vendosi të lerë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 0.5%. Ruajtja e kushteve të përshtatshme financiare do t’i shërbejë nxitjes së konsumit dhe të investimeve, çka pritet të përkthehet më tej në rritje të punësimit e të pagave dhe në kthim gradual të inflacionit në objektiv.
Edhe në të ardhmen, vijoi guvernatori, politika jonë monetare do të kujdeset të ofrojë mbështetjen e duhur për rikuperimin e ekonomisë, duke e konsideruar atë një parakusht të nevojshëm për kthimin e qëndrueshëm të inflacionit në objektiv.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.