Raporti për transparencë fiskale – DASH: Shqipëria plotëson kërkesat minimale
Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar raportin vjetor për 2019-ën, mbi transparencën fiskale, i cili përshkruan kërkesat minimale të transparencës fiskale të shteteve të marra në analizë.
Përsa i përket vendit tonë, Departamenti i Shtetit nënvizon se Shqipëria i plotëson kërkesat minimale për transparencë fiskale për vitin 2019, së bashku me vendet e rajonit, si Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina.
Departamenti arrin në përfundimin se, nga 140 qeveritë e vlerësuara plus Guinenë Ekuatoriale, 67 prej tyre nuk i plotësojnë kërkesat minimale të transparencës fiskale. Megjithatë, nga këto 67 qeveri, 13 kanë bërë progres të rëndësishëm drejt përmbushjes së kërkesave.
Raporti në fjalë vlerëson në detaje vendet që nuk plotësuan kërkesat minimale dhe të atyre që kanë bërë përparim të ndjeshëm drejt përmbushjes së kërkesave gjatë periudhës 1 janar-31 dhjetor 2018. Gjithashtu, raporti jep një përshkrim të përdorimit të Fondit të Inovacionit për Transparencë Fiskale, i cili është krijuar në vitin 2012 nga Departamenti i Shtetit dhe USAID.
Ky fond ka për qëllim të rrisë transparencën buxhetore të shteteve, të rrisë aksesin e qytetarëve në shpenzimet shtetërore dhe në programet e të ardhurave, etj. Për vitin 2018, ky fond kishte një vlerë prej 4.5 miliardë dollarë dhe mbështeti 15 projekte në vende të ndryshme, si Algjeria, Armenia, Ekuadori, Guinea, etj.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.