Raporti / Tregu i sigurimeve u rrit me 23% për vitin e kaluar
Tregu i sigurimeve shënoi rritje të lartë për vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), totali i aseteve të tregut arriti në 38.6 miliardë lekë me një rritje vjetore prej 23%. Raporti i aseteve të tregut të sigurimeve ndaj PBB-së për vitin 2019 arriti në 2.3%, ndërsa një vit më parë kjo shifër ishte 1.9%. Rritja e tregut ka ardhur kryesisht nga sektori i Jo-Jetës, si rezultat i
zmadhimit të pjesës së risiguruesve në provigjonet teknike të dëmeve. Kjo lidhet kryesisht me dëmet e shkaktuara nga dy tërmetet e ndodhura gjatë vitit 2019.
Zmadhimi i tregut ka ardhur pavarësisht një rritjeje modeste të primeve të shkruara bruto. Vlera e primeve arriti në rreth 17.6 miliardë lekë, ose rreth 4.1% më shumë se në vitin 2018. Numri i kontratave të sigurimit të lidhura ishte 1.3 milionë, me një rritje prej rreth 3.2% krahasuar me një vit më parë.
Sipas AMF-së, struktura e tregut tregon nevojën për zhvillimin e tregut të sigurimeve. Tregu mbetet i orientuar tek Sigurimet e Jo-Jetës, me gati 93% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa Sigurimi i Detyrueshëm Motorik dominon me rreth 69% të tregut të Jo-Jetës.
Totali i dëmeve të paguara bruto, në vitin 2019, arriti në 6.4 miliardë lekë ose rreth 9% më pak se në vitin 2018. Raporti neto mes dëmeve dhe primeve rezultoi rreth 37%.
AMF vlerëson se ulja e dëmeve erdhi sepse viti 2018 ishte ndikuar nga disa zhvillime specifike dhe kalimtare. Dëmet e akumuluara në Fondine Kompensimit u paguan më shumti gjatë vitit 2018, ndërsa për të njëjtën periudhë u pagua edhe një dëm në vlerë të madhe për sigurimin nga zjarri.
Ersuin Shehu / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.