Raporti vjetor/ Aksidentet rrugore ulen me 18% – Cili është qarku më “i përgjegjshëm” në timon
Qarku i Beratit rezulton qarku me më pak aksidente rrugore në vitin 2020. Sipas raportit më të fundit të Instat mbi Aksidentet Rrugore, Berati ka një diferencë të ndjeshme me të gjitha qarqet e tjera, duke numëruar në total 14 aksidente në 12 muaj. Shifër kjo, edhe më e ulët se ajo në vitin 2019, ku numëroheshin 27 aksidente rrugore në total.
Në vend të dytë, për nga numri i aksidenteve rrugore vjetore, është qarku i Vlorës, me një total prej 22 aksidentesh. Në fakt, “ndërgjegjësimi” duket të ketë qenë i lartë për këtë zonë, pasi është ndjerë një rënie me 70% nga viti 2019.
Shkodra nga ana tjetër, ka pasur të njëjtin numër të aksidenteve rrugore si në 2019, ashtu edhe në 2020, me përkatësisht 26 aksidente rrugore në secilin vit. Referuar Instat, ky qark renditet i treti për nga më pak aksidente rrugore, në vitin që lamë pas.
Nga ana tjetër, Tirana, Durrësi dhe Lezha mbajnë vendet e para, si qarqet me më shumë aksidente rrugore në vitin pandemik, me konkretisht 157 aksidente rrugore, 116 aksidente rrugore, si dhe 122 aksidente rrugore. Sidoqoftë, të treja këto numërojnë më pak aksidente rrugore nga viti 2019.
Sa i takon pasqyrës së përgjithshme, Shqipëria ka numëruar 1.234 aksidente rrugore në 2020- ën, një rënie kjo me afro 18%, referuar Institutit të Statistikave.
“Numri i të aksidentuarve në vitin 2020, është 1.598 persona nga 2.044 persona, duke u ulur me 21.8%, krahasuar me vitin 2019. Numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 181 persona nga 227 persona, në të njëjtën periudhë të një viti më parë” shkruan më tej Instat në raportin vjetor.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.