‘Raportim tek APP për kontratat e tenderëve’ – Udhëzimi për institucionet shtetërore: Monitorim ecurisë së zbatimit
Institucionet shtetërore duhet të raportojnë pranë Agjencisë së Prokurimit Publik për zbatimin e kontratave për punë, mallra apo shërbime. Ky dikaster ka nxjerrë udhëzimin përkatës, si dhe formatin standard që duhet të përdoret në këtë rast. Në këtë formulari janë parashikuar 2 raste të raportimit: Raportimi i ndërmjetëm, gjatë fazës së zbatimit dhe raportimi përmbledhës në përfundim të zbatimit të saj.
Sipas udhëzimit, gjatë zbatimit të kontratës, personi ose strukturat e ngarkuara për ndjekjen e kontratës përgatisin një raport të ndërmjetëm sa herë evidentohen situata dhe problematika të ndryshme, që ndikojnë në zbatimin e saj sipas termave dhe kushteve të parashikuara në dokument. Situata të tilla mund të jenë modifikimet e kontratës, ndërprerja, përfundimi apo shpallja e pavlefshme e saj, si dhe arsyet përkatëse se përse janë bërë këto ndryshime.
Ky udhëzim i APP-së vjen pas atij të muajit shtator të vitit të kaluar, që theksonte se institucionet shtetërore nuk mund të ndryshojnë kushtet e kontratave nga ato të përshkruara në dokumentet e tenderit dhe në ofertën fituese.
Për këtë arsye u kërkua hartimi i planit të zbatimit të kontratës pas çdo tenderi të realizuar për punë, mallra apo shërbime. Udhëzimi bazohej në ligjin e ri “Për prokurimin publik”, ndërkohë që nuk kanë munguar rastet kur autoritetet kontraktore kanë parashikuar të tjera kushte në kontratë, nga ato të parashikuara në garat tenderuese.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.