Rastësi apo “deeuroizim”? Euro “shkurorëzohet” në shkurt, bien kreditë
Kreditimi në euro i ekonomisë ra gjatë muajit shkurt, kohë që përkon me prezantimin e strategjisë së deeuroizimit nga Banka e Shqipërisë. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në muajin shkurt u dhanë 46 milionë euro kredi e re në euro, në rënie me 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndonëse është e vështirë të nxjerrësh përfundime mbështetur në statistikat e një muaji të vetëm, duhet theksuar se kjo ishte rënia e parë mujore e kredisë së re në euro që nga maji i vitit 2017.
Prej atëherë e deri në janar, çdo muaj kredia e re në euro ka qenë më e lartë, krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me depozitat. Pasi ishin rritur edhe në janar, depozitat e reja në euro ranë lehtë gjatë shkurtit në 631 milionë euro, nga 640 milionë euro që kishin qenë në shkurtin e vitit 2017.
Ndërkohë kredia e re në lekë, që kishte pësuar rënie gjatë janarit, u rrit ndjeshëm në shkurt, me 17% krahasuar një vit më parë, duke prekur një vlerë totale prej 9 miliardë lekësh. E njëjta gjë ndodhi edhe me depozitat në lekë, që u rritën me ritme edhe më të larta, me 32% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Strategjia e deeuorizimit e Bankës së Shqipërisë do të rrisë kostot e mbajtjes së euros nga bankat, lëvizje që në afatin e gjatë synon të ulë peshën e euros në bilancet e bankave, si në krahun e depozitave, ashtu edhe në atë të kredive.
Në fakt, Banka e Shqipërisë e ka bërë të qartë se qëllimet e kësaj strategjie janë afatgjata dhe nuk pritet ndonjë efekt i rëndësishëm në kohë të shpejtë, për më tepër që ndryshimet përkatëse në rregullore ende nuk kanë hyrë në fuqi. Megjithatë, sinjali i dhënë nga Banka e Shqipërisë përmes bërjes publike të masave kundër euroizimit mund të ketë pasur një farë ndikimi, qoftë edhe psikologjik.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.