Rastet me Covid “thyejnë” rekord në Europë – Disa vende konsiderojnë zgjerimin e dozave nxitëse për të gjithë të rriturit
Infeksionet me koronavirus kanë thyer rekord në disa pjesë të Europës në 24 orët e fundit, me kontinentin që ndodhet përsëri në epiqendër të pandemisë, gjë që ka nxitur masa të reja të karantinës dhe përpjekje për të përshpejtuar vaksinimin. Sllovakia, Republika çeke, Holanda dhe Hungaria, raportuan rekorde të larta të infeksioneve, ndërkohë që Dimri po afrohet në Europë dhe njerëzit janë mbledhur në ambiente të brendshme.
Rastet e reja u rritën me 23% në Amerikë javën e kaluar, kryesisht në Amerikën e Veriut. Sëmundja është shtrirë në të gjithë botën që kur u identifikua fillimisht në Kinë, duke infektuar mbi 258 milionë njerëz dhe lënë mbi 5.4 milionë të vdekur. Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, rekomandoi doza nxitëse për të gjithë të rriturit, me prioritet për ata mbi 40 vjeç, në një ndryshim të theksuar të udhëzimeve të mëparshme që sugjeronin se doza nxitëse duhej vetëm për të moshuarit dhe ata me sistem imunitar të cënuar.
“Provat e disponueshme që vijnë nga Izraeli apo Mbretëria e Bashkuar, tregojnë rritje të dukshme të mbrojtjtes kundër infeksionet dhe sëmundjes së ashpër pas një doze nxitëse në të gjithë grupmoshat në afat-shkurtër” deklaroi agjencia europiane. Shumë vende kanë nisur të japin doza nxitëse por kanë caktuar kushte të ndryshme të prioritetit dhe intervale të ndryshme nga regjimi fillestar dhe dozat nxitëse.
Shefja e agjencisë, Andrea Ammon, tha se dozat nxitëse mund të rrisin mbrojtjten kundër infeksionit që vjen nga zbehja e imunitetit dhe mund të ulin transmetimin tek popullsia, duke parandaluar mbushjen e spitaleve dhe vdekjet. Ajo këshilloi vendet me norma të ulëta të vaksinimit që të përshpejtojnë administrimin e vaksinave dhe paralajmëroi për rrezikun e rritjes së vdekjeve në Europë gjatë Dhjetorit dhe Janarit, nëse nuk merren masat e rekomanduara.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.