Rasti i çuditshëm i vaksinës kineze: Doza në të gjithë botën, por Pekini nuk jep aprovimin
Drita e parë jeshile për vaksinën kineze, çuditërisht, u dha nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Të mërkurën, Ministri i Shëndetësisë tha se, sipas testeve të kryera në vend, vaksina ka një efektivitet 86%.
Nuk u dhanë detaje të mëtejshme, ndërsa komuniteti shkencor do të duhet të presë për të verifikuar deklaratën. Por, aspekti i çuditshëm është se Kina nuk mori pjesë në lajmet “e lumtura”, as qeveria e as Sinopharm, pavarësisht se vaksina ishte një objektiv prioritar i regjimit. Një hipotezë është se gara “e tërbuar” për serumin anti – Covid ka prishur çdo rregull.
Ndërsa e gjithë bota ka përcaktuar afate dhe hapa konkretë, Kina i ka përzier të dyja këto; për momentin, asnjë nga pesë vaksinat kineze nuk ka arritur rezultatet përfundimtare të eksperimentit, as nuk kanë marrë aprovimin nga autoritetet e Pekinit. Megjithatë, administrohen qindra mijëra doza, brenda dhe jashtë vendit.
Tre vaksina, dy përbërje nga Sinopharm dhe një nga kompania private Sinovac, tashmë janë autorizuar për të ashtuquajturën “përdorim urgjence” për muaj në rrezik, siç janë mjekët. Me kalimin e kohës, si dhe gjithmonë duke pritur rezultatet, këto kategori janë zgjeruar në mënyrë dramatike: tani, një biletë avioni për jashtë kufijve është e mjaftueshme për të pasur të drejtën e një injeksioni.
Nga ana tjetër, qëllimi i Xi Jinping është të përdorë vaksinën si një mjet gjeopolitik, duke e shpërndarë atë në vendet miqësore, veçanërisht ato në botën në zhvillim. Indonezia, e cila do të donte të rihapte turizmin, Brazili, Maroku, kanë marrë tashmë dërgesat e para. Emiratet gjithashtu kanë filluar ta administrojnë vaksinën, që para njoftimit të së Mërkurës mbi efektivitetin e saj.
Burimi origjinal: La Repubblica
Përshtati në shqip: SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.