RBS raporton rezultatin-2016 vijon me humbje, kryesisht prej akuzave nga SHBA

Në sesionin e raportimeve të kompanive Europiane, RBS ka publikuar të dhënat e fundit mbi performancën. Huadhënësi ka raportuar një humbje prej akuzave për sjellje të padrejtë nga SHBA dhe kostove të mëdha të ristrukturimit.
Banka, që nuk ka rezultuar në fitim vjetor që prej vitit 2007, regjistroi humbje prej 6.96 miliardë paund për 2016-ën, krahasuar me 1.98 miliardë paund humbje që ishte një vit më parë.
Dikur banka më e madhe në botë nga asetet, Royal Bank of Scotland ndodhet tashmë në një periudhë disa-vjeçare ristrukturimi, shkurtime të vendeve të punës dhe një serë akuzash nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA.
Banka deklaroi se viti 2017 do të shënojë përfundimin e humbjeve ndërsa huadhënësi po i afrohet fundit të periudhës më të keqe në historinë 290 vjeçare. Huadhënësi me seli në Edinburgh lajmëroi gjithashtu plane për ulje të kostove me 2 miliardë paund në 4 vitet e ardhshme, për të kompensuar sfidat prej normave të ulëta të interesit.
Humbjet për 2016 erdhën kryesisht prej marrëveshjes prej 5.9 miliardë paund me Departamentin e Dretësisë në SHBA, për shitjen e letrave me vlerë të kolateralizuara në periudhën e krizës. Aksionet ranë me 1.9% në hapje të sesionit europian.
Qeveria britanike, që zotëron më shumë se 70% të Royal Bank of Scotland, ka bërë të ditur se nuk do të shesë aksionet e bankës deri sa të zgjidhet çështja me gjobën nga Shtetet e Bashkuara.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.