Re radioaktive mbulojnë Europën – Franca akuzon Rusinë dhe Kazakistanin për ndotjen
Një re me ndotje radioaktive, e cila ka qenë javët e fundit mbi Europë tregon se një aksident bërthamor ka ndodhur në Rusi ose në Kazakistan në fund të Shtatorit. Ky është konkluzioni i institutit francez të sigurisë bërthamore, IRSN, pas analizave të kryera.
Në deklaratën e tij, instituti përjashton mundësinë e një aksidenti në një reaktor bërthamor, pasi substanca e gjetur, ruthenium 106, është për përdorim të mjekësisë bërthamore.
Sipas IRSN, deri më tani nuk ka patur asnjë ndikim në shëndetin njerëzor apo në mjedis. Vendndodhja e aksidentit nuk mund të gjendet me saktësi, por duke u bazuar në lëvizjet atmosferike, me shumë gjasa e kishte origjinën në jug të Maleve Urale, pranë lumit Vollga.
Autoritetet ruse u shprehën për institutin se nuk ishin në dijeni të ndonjë incidenti në territorin e tyre, ndërsa autoritetet kazake nuk ishin të mundura të kontaktoheshin.
IRSN e zbuloi renë bërthamore duke matur nivelet e larta të ruthenium 106, një nukleid radioaktiv, i cili është produkt i ndarjes së atomeve në një reaktor bërthamor, fenomen i cili nuk ndodh në natyrë.
Përllogaritet se sasia e ruthenium 106 e lëshuar në atmosferë është shumë e madhe dhe se nëse një aksident i këtyre përmasave do të kishte ndodhur në Francë, do të nevojitej evakuimi dhe strehimi i banorëve në një rreze prej disa kilometrash rreth vendngjarjes.
Gjithsesi, sasia e transportuar në Europë nuk pritet të jetë e dëmshme. IRSN tha gjithashtu se ka shumë pak gjasa që lënda të ketë hyrë në Francë përmes importit të ushqimeve, si kërpudhat, të ndotura me ruthenium nga zona pranë aksidentit.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.