Reagimet për ligjin e Teatrit – Meta: Sipërfaqësore dhe emocionale, lexoni me objektivitet argumentet
“Sipërfaqësore, emocionale e të pathelluara”. Kështu i ka cilësuar presidenti Ilir Meta reagimet kundër mosdekretimit të ligjit, që i hapte rrugën prishjes së Teatrit Kombëtar. Përmes një deklarate për shtyp, kreu i shtetit shprehu keqardhjen për këto reagime, ndërsa “ftoi të gjithë të shqetësuarit për ndërtimin e një teatri të ri të lexojnë me objektivitet dekretin, të gjithë arsyetimin, argumentet dhe konstatimet ligjore të cilat bazohen vetëm në Kushtetutën e Shqipërisë, konventat dhe marrëveshjen ndërkombëtare ku vendi ynë është palë, detyrimet që lindin prej tyre dhe legjislacionin tonë në fuqi.
“Presidenti i Republikës është i bindur se, nëse të gjithë do të udhëhiqen vetëm nga interesi kombëtar dhe publik, jo vetëm garantohet ruajtja e kompleksit teatror e restaurimi i tij si pjesë e trashëgimisë kombëtare, por edhe garantohet ndërtim i teatrit të ri në mënyrën më transparente e më të përgjegjshme, duke respektuar plotësisht legjislacionin aktual si dhe duke shmangur çdo konflikt artificial”,-thuhet ndër të tjera në deklaratë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e cilësoi si zhgënjim kthimin e ligjit në Kuvend.
“Teksa pritëm 40 vjet për një Teatër të ri do të presim edhe 40 ditë që Parlamenti ta rivotojë në shtator e t’i hapë rrugë projektit modern, në tokën e vet e me teknologjinë mët ë fundit”,- komentoi Veliaj. Meta ka kërkuan rishqyrtimin në tërësi të ligjit, që mesa duket do të bëhet në muajin shtator, pasi parlamenti mbylli punimet në datën 23 korrik, ndërkohë që deri më tani nuk parashikohet mbajtja e një seance të jashtëzakonshme.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.