Reagon Shoqata e Bankave: Kemi kërkuar standarde, kuadri rregullator i paplotë
Shoqata Shqiptare e Bankave ka sqaruar qëndrimin e saj lidhur me standardet e sigurisë që duhet të plotësohen sa i përket shoqërimit të vlerave monetare nga kompanitë private. Ky reagim vjen pas grabitjes në rrugën e Rinasit të parave të një banke të nivelit të dytë.
Në deklaratë shoqata ndan përgjegjësinë që kanë vetë bankat nga ajo që kanë kompanitë private që licencohen nga autoritetet shtetërore.
“Bankat kanë përgjegjësi për sigurinë fizike brenda ambienteve ku zhvillojnë veprimtarinë, kanë përgjegjësi të zbatojnë kërkesat rregullatore dhe ligjore për lidhjen e kontratës me një shoqëri Shërbimi Privat të Sigurisë Fizike, e cila është e licencuar për transportimin e vlerave monetare, si dhe të bëjnë sigurimin e godinave, vlerave monetare në kasafortë dhe në lëvizje”.
Sipas ligjit, bankat nuk lejohen të transportojnë vetë vlera monetare” sqaron Shoqata Shqiptare e Bankave. Kjo e fundit thekson se ka kërkuar prej 7 muajsh pranë autoriteteve që të vendosen standarde për transportimin e vlerave monetare në kuadrin rregullator por kjo ende mbetet e pa plotësuar.
Të premten përfaqësues të bankave të nivelit të dytë, Guvernatori i bankës së Shqipërisë dhe kryetari i Komsionit të Ekonomisë u pritën në takim nga Ministri i Brendshëm ku u ra dakord për koordinimin e një sërë masave që synojnë rritjen e sigurisë.
Nertila Maho/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.