Real estate, kriza e ardhshme e Europës – Paralajmëron BQE. Politikat lehtësuese kanë fryrë çmimin e aktiveve
Kriza e ardhshme e Europës pritet ta ketë origjinën në tregun e pronave të paluajtshme, sipas kreut të mbikëqyrjes të Bankës Qendrore Europiane Daniele Nouy, e cila shton se bankat janë më të përgatitura krahasuar me një dekadë më parë.
Ndërkohë që normat e interesit qëndrojnë në nivele rekord të ulëta, çmimet e pronave të paluajtshme janë rritur në shumë zona kryesore. Disa politikëbërës kanë paralajmëruar se politikat lehtësuese monetare mund të shkaktojnë një flluskë në çmimin e aktiveve, gjë që pritet të sjellë krizën e radhës.
“Çfarë mund ta shkaktojë krizën e radhës? Dyshoj që mund të vijë nga tregu i pronave të paluajtshme. E dimë me siguri që do të ketë një tjetër krizë, por nuk e dimë kohën dhe mënyrën se si do të shfaqet”, tha mbikëqyrësja kryesore e BQE.
Ndërkohë që bankat kanë fuqizuar pozitën e kapitalit, likuiditeti është i bollshëm dhe paraja e lirë, ajo paralajmëroi se disa banka nuk kanë patur mjaftueshëm sukses në mobilizimin e kolateralit dhe në mundësimin e likuiditetit shtesë në treg gjatë periudhave të stresi. “Ajo që mungon është një skemë sigurimi e depozitave në Europë”, tha Nouy. “Disa vende në Europën Veriore dhe Lindore kërkojnë të shohin një reduktim të mëtejshëm të rreziqeve përpara se të bëjnë lëvizjet e radhës. Unë mendoj se rreziqet janë reduktuar bindshëm, kështu që duhet të bëjmë përpara”, shtoi ajo.
Duke përmendur vendet Baltike, Nouy paralajmëroi se rritja e çmimeve të pronave tregtare përbën një rrezik, ashtu si dhe përdorimi i normave variabël të interesit, ndërkohë që nuk ka një garanci që pagat apo fitimet do të rriten me të njëjtin ritëm me normat.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.