Realizimi i programit qeverisës – Kadia: Të reformohet shteti, duhen prioritete kombëtare

Tashmë që programi i qeverisë është bërë publik, debatet janë të shumta mbi realizimin e objektivave të tij. Kështu për ekspertin e ekonomisë, Besart Kadia, programi i paraqitur nga “Rama 2” ka një qasje të re, por duhet të shihen hapat e parë nëse mund dhe sa do të përfitojnë qytetarët dhe biznesi. Sipas tij, qeveria e re duhet së pari të reformoje shtetin dhe më pas të përcaktojë prioritetet e zhvillimit.
“Është e realizueshme, por duhet të bësh hapat e para më përpara. Kjo qeveri ka treguar që ka hyrë shpeshherë në panik, ku në çdo gjashtë muaj ndryshonte prioritete. Në rast se ndodh e njëjta gjë katërvjeçarin e ardhshëm, besoj që do të jetë i destinuar të mos e arrijë dot objektivin e madh për të patur rritje ekonomike mbi 5%.
Hapi i parë është i brendshëm i vetë shtetit shqiptar për të reformuar veten, për të qenë një partner i besueshëm për investitorët vendas dhe të huaj, e më pas le të bëjmë prioritete zhvillimi turizëm apo bujqësie e të tjera me radhë. Pra, duhet të bëjmë hapat e kujdesshëm sepse biem gjithnjë në të njëjtën grackë: kur duam të bëjmë shumë, hapim shumë fronte njëkohësisht dhe të gjithë i lëmë pa i mbyllur dhe mbetemi në vendnumëro, pra humbasim fokusin e madh që duhet të kemi”, tha Kadia.
Qeveria e re tashmë ka filluar aktivitetin ekzekutiv, ndërkohë që janë paralajmëruar reforma të thella. Këto reforma pritet të jenë në administratën publike, në drejtësi dhe në lehtësimin e procedurave për qytetarët dhe biznesin.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.