Rebelët e Brexit sulmojnë May – Vetë partia konservatore diskuton për dorëheqjen e saj
Thuajse 50 deputetë që mbështesin Brexit në patinë Konservatore të Theresa May, janë takuar për të diskutuar për mënyrat se si mund ta bindin atë që të japë dorëheqjen.
Që kur zgjedhjet e parakohshme në Qershor 2017 i hoqën shumicën në parlament partisë së saj, May është përballur me sfida në lidership, ndërkohë që përpiqet të arrijë një marrëveshje me Bashkimin Europian. Deputetët e një grupimi në partinë Konservatore që kërkon një ndarje më të ashpër me Europën, janë takuar këtë javë dhe kanë diskutuar mbi të ardhmen e kryeministres.
Sipas raportimeve të BBC, ata mendojnë se May duhet të largohet dhe se është një “katastrofë”. Megjithatë, në publik, skeptikët e partisë së saj i kanë qëndruar besnik. Jacob Rees-Mogg, lideri i këtij grupimi tha se politikat e saj duhet të ndryshohen por se e mbështet këtë person, ndërsa pyetej në intervistë nëse May duhet të largohet.
Ish sekretari i Brexit, David Davis, që dha dorëheqjen nga kabineti në muajin Korrik prej planeve të May, tha se nuk është dakord me kryeministren por shtoi se ajo duhet të qëndrojë në pushtet. Paundi ra kundër dollarit në 1.2994, duke u rimëkëmbur më vonë sipër $ 1.30.
Mbretëria e Bashkuar pritet të dalë nga Bashkimi Europian në 29 Mars. BE dhe Britania synojnë të arrijnë një marrëveshje këtë vit, në mënyrë që parlamentet nga të dyja anët ta ratifikojnë përpara Brexit. Presidenti i Komisionit, Jean-Claude Juncker, tha se BE nuk do të lejojë Britaninë që të jetë pjesëmarrëse në tregun e përbashkët pas Brexit, pa respektuar të gjithë rregullat.
Propozimi i May për një zonë të lirë tregtare pas Brexit, që do të përfshijë pranimin e rregullave të përbashkëta, ka irrituar shumë persona në partinë e saj. Qoftë edhe një rebelim i vogël brenda partisë së saj mbi marrëveshjen përfundimtare, mund të shpërbëjë qeverinë e saj dhe prishë planet e daljes.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.