Rebelohet Irani – Rouhani: Amerikanët nuk bllokojnë dot eksportet e naftës
Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, tha në një fjalim që u transmetua nga televizioni shtetëror në nisje të javës, se vendi do të vazhdojë të eksportojë naftë, pavarësisht presioneve nga Shtetet e Bashkuara që synojnë uljen e dërgesave të naftës drejt zeros.
“Amerikanët do ta shohin vetë se në muajt e ardhshëm ne do të vazhdojnë të eksportojmë naftë. Amerikanët mund të bllokojnë një rrugë për eksportet tona, por ata nuk do të mbyllin ç’do derë që kemi në dispozicion. Ekzistojnë 6 dyer të tjera dhe amerikanët nuk e dijnë.” – tha Rouhani
Çmimet e naftës prekën nivelin më të lartë që prej Nëntorit 2018 gjatë javës së kaluar, pasi Washingtoni deklaroi se kanë përfunduar përjashtimet nga sanksionet për disa vende që blinin naftë iraniane. Kjo ushtroi presion te importuesit e naftës nga Teherani dhe solli tkurrje të ofertës botërore.
“Ne duhet të eksportojmë naftën në çdo mënyrë dhe të ngrihemi kundër amerikanëve. Sigurisht që disa vende që blinin naftë iraniane i janë dorëzuar presionit të Shteteve të Bashkuara.” – tha Rouhani.
Shtetet e Bashkuara kërkuan javën e kaluar që të gjithë blerësit e naftës iraniane të ndalojnë importet më datë 1 Maj, përndryshe do të përballen me sanksione. Kjo solli përfundimin e përjashtimit 6 mujor, që kishte lejuar 8 klientët më të mëdhenj të Iranit, kryesisht në Azi, të vazhdonin importet në sasi të limituar.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.