Reduktim stafi në ujësjellës/AKUK, Skënderi: Jo më para’ për paga e sigurime, duhet 1/1000 lidhje
Paratë që u jepen shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve nga buxheti i shtetit nuk do të mund të përdoren më për pagat dhe sigurimet e punonjësve, ndërkohë që Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve pret reduktim të numrit të punonjësve si një prej treguesve të performancës, mbi bazën e të cilit shoqëritë mund t’i përfitojnë këto subvencione.
“Është thënë që në fillimin e aksionit që ne nuk do të paguajmë pagat dhe sigurimet e punonjësve, pasi ato janë kompani SHA, që fillimisht duhet të vetëmbahen. Nëse një kompani nuk paguan dot as punonjësit e vet, nuk ka përse të ekzistojë. Ndaj kjo masë e financimit nga buxheti i shtetit është kufizuar vetëm në pagesën e energjisë elektrike dhe për klor. Pra, kemi ngushtuar gamën, gjë që edhe për vitin tjetër do të ngushtohet edhe më tepër, sidomos për energjinë elektrike sepse energjia elektrike është e pajustifikueshme të mos arrijë të paguhet nga vetë kompania. Janë 3 apo 4 që e kanë të pamundur të funksionojnë pa subvencion, por edhe për ato do të mendojmë zgjidhje të tjera”.
Sipas të dhënave të Entit Rregullator të Ujit, perormanca e eficencës së stafit ka ardhur në rënie për vitin 2017, ndërsa mesatarisht kompanitë numërojnë 5.5 veta staf për 1000 lidhje. Por, sipas Skënderit, ky tregues duhet reduktuar në 1 staf/ 1000 lidhje, çka praktikisht do të thotë se rreth 4 në 5 punonjës do të duhet të largohen.
“Tek indikatorët ne themi që të ulen humbjet, të shtohen kontratat, të ulet prodhimi etj. dhe kemi një indikator që është 1 staf /1000 lidhje. Ulja e kësaj i jep pikë ujësjellësve, domethënë ne i shtyjmë me mënyra të ndryshme që ata ta arrijnë këtë. Organikat e fryra kanë ardhur për 2 arsye sepse ne kemi vitin e parë që mund të krahasojmë, pasi në 2017-ën u ndryshua i gjithë juridiksioni në bazë të reformës administrative-terriotoriale të vitit 2015. U riorganizuan të gjitha ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizime dhe është futur edhe zona rurale dhe i bie që në momentin e parë ne prisnim një rritje të problematikës, edhe të stafit, edhe të rritjes së humbjeve, etj. Ndërsa tani që kemi nisur me menaxhimin dhe kërkesën e treguesve të performancës ne presim ulje të stafit”.
Skënderi shpjegon dhe metodologjinë e re të subvencionit të ujësjellës-kanalizimeve.
“Udhëzimi ka të bëjë me metodologjinë e subvencionimit për ndërmarrjet, ku deri një vit më parë 80% e fondit shkonte për mbulim kostove dhe 20% mbështetje për performancë. Me udhëzimin e ri kemi bërë një rishpërndarje, duke i dhënë më shumë rëndësi performancës, duke kaluar 60% të fondit dhe 40% ka mbetur për kostot”.
Sipas kreut të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, në vitet në vazhdim, masa e mbulimit për kostot do të vijë duke u zeruar.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.