Reduktimi i dokumentacionit – Nikolla: Për fondin e ekselencës, aplikimi vetëm me formular
Rreth 66.14 për qind e dokumentave të lëshuara nga Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve janë reduktuar në kudër të reformës së deregulimit. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e MSH Lindita Nikolla në tryezën e radhës, ku ishte e pranishme edhe zëvendës kryeministrja Senida Mesi dhe ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro.
Nikolla tha se në kuadër të kësaj reforme po punohet për të rigrupuar të gjitha shërbimet arsimore në një qendër të vetme, duke shmangur kështu kohën e humbur, burokracinë dhe korrupsionin.
Po ashtu, ajo u ndal edhe te mbivendosja e dokumentave, sipas së cilës specialistët po punojnë për t’i thjeshtëzuar ato. Sa i takon fondit të ekselencës, ministrja tha se tashmë mjafton vetëm plotësimi i formularit dhe dorëzimi i dokumentave bëhet vetëm pasi shpallen fitues.
Ndërkohë, Nikolla shtoi se numri i dokumentave është reduktuar tej mase pas procesit të deregulimit.
“Për të marrë 44 shërbime në MSH nevojiteshin 254 dokumenta. Pas procesit të deregulimit, tashmë kërkohen vetëm 86 dokumenta me një ndarje të caktuar.”
Duke u ndalur më tej te arsimi parauniversitar, tha se për 24 shërbime nevojiten vetëm 44 dokumenta, në arsimin e lartë vetëm 43, duke u shprehur se janë eliminuar 66.14 për qind e dokumentave.
Ndërkohë, janë eliminuar 23 dokumenta që kërkojnë noterizim.
“Për 33 dokumenta që kërkojnë noterizim, 23 prej tyre janë eliminuar duke ju kursyer qytetarëve 13 mijë e 800 lekë të reja.”
Po ashtu, janë reduktuar nga 10 në 3 edhe dokumentet e paraqitura nga ekselentët. Akademikët për njohjen e titujve i Asoc. tashmë do të paraqesin vetëm 6 dokumenta, nga 10 që dorëzonin më parë, si dhe për njohjen e gradës Doktor, nga 8 tashmë numri i tyre shkon në 4.
Ndërkohë, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro tha se edhe në shërbimet që ofron kjo ministri dhe institucionet e saj janë krijuar mjaft lehtësira me dokumentacionet, duke shkurtuar kështu rreth 36 për qind të listët së dokumentave.
Duke u ndalur të thirrjet për projekt-ide, Kumbaro tha se tashmë të interesuarve në momentin e parë do t’u duhet vetëm projekt-ideja dhe prezantimi. Sipas saj kjo është bërë për t’u dhënë atyre mundësinë të përqendrohen te energjitë e tyre të krijimtarisë.
Kumbaro shtoi më tej se janë shkurtuar nga 15 në 13 dokumente nga Drejtoria për të drejtën e Autorit.
“Në Qendrën e Inventarizimit për Pasuritë Kulturore, ku bëjnë pjesë edhe koleksionistët, që kanë një marrëdhënie intensive letrash, është bërë një shkurtim në masë 40 për qind.”
Shkurtime të dokumentave janë bërë edhe nga Instituti i Monumenteve të Kulturës për leje e licenca është reduktuar me 26 për qind numri i dokumenteve për leje e licenca që nevojiten për projektet zhvilluese në infrastrukturë.
Ndërkohë, zëvendëskryeministrja Senida Mesi tha se po punohet për hapjen e sporteleve one-stop-shop në të gjithë Shqipërinë.
Genta Dobra/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.