Referendumi, populli në Zvicër i “mbyll derën” energjisë bërthamore

Zvicra ka përdorur fuqinë e demokracisë së drejtpërdrejtë për t’i dhënë fund energjisë bërthamore. Në referendumin e zhvilluar ditën e Diel, 58,2% e votuesve ishin në favor të ligjit që nuk lejon ndërtimin e impianteve të reja bërthamore.
Sa i takon pesë centraleve ekzistuese, ato do të mund të vazhdojnë të operojnë, për sa kohë që janë të sigurta.
Energjia bërthamore përbën 33,5% të totalit të energjisë së prodhuar në vend. Zvicra varet kryesisht nga kjo formë energjie, si edhe nga ajo hidrike (59,9%), ndërsa format e tjera të energjisë janë në shifra shumë të ulëta.
Strategjia Energjitike 2050, e cila u miratua me referendum, gjithashtu ka vendosur synime ambicioze për reduktimin e emetimeve të karbonit. Qëllimi i saj është të largojë vendin nga energjia bërthamore, drejt energjive të rinovueshme. Ajo do të ofrojë miliarda euro në subvencione për të rritur proporcionin e energjisë diellore dhe të erës.
Kjo formë nxitjeje e energjive alternative do të mund të çlirojë vendin në të ardhmen nga energjia hidrike, që tejkalon çmimin e vendeve të tjera të Europës.
Megjithatë edhe ky ligj ka aspektet e tij negative. Qeveria parashikon se financimi i energjive të rinovueshme do t’i kushtojë familjeve mesatarisht 41 dollarë në vit, por kritikët thonë se kostoja mund të jetë deri në 80 herë më e lartë.
Zvicra bashkohet në vijën e vendeve që kanë vendosur t’u drejtohen energjive të rinovueshme. Gjermania ka vendosur të mbyllë 17 centrale bërthamore deri në vitin 2022, ndërsa Bashkimi Europian ka caktuar një kuotë që duhet të arrihet nga çdo vend anëtar, deri në vitin 2025. Edhe Shqipëria ka miratuar një skemë mbështetëse për prodhimin e energjisë elektrike nga era dhe dielli.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.