Reforma e Shërbimeve Administrative – Ministria e Turizmit eliminon 35% të dokumenteve
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe institucionet e saj të varësisë në kuadër të derregullimit ka bërë të mundur eliminimin e 35 për qind të dokumenteve, që deri më tani i është dashur qytetarëve ti dorëzojnë pranë institucioneve përkatëse. Zëvendëskryeministrja Senida Mesi gjatë takimit në ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit tha se ky eliminim jo vetëm ul kostot dhe kohën, por shmang edhe zvarritjen e qytetarëve nga një zyrë në tjetrën për gjetjen e dokumenteve.
“Ministria e Turizmit ka avancuar, duke eliminuar 35 për qind të dokumenteve, për leje, licenca dhe autorizimet. Nga ana tjetër ka nevojë që disa dokumente të derregullohen, jo vetëm të ndryshohen si procese. Tani shumë dokumente nuk ka nevojë ti sjellin qytetarët, por do ti gjejnë në zyra, institucione në formë elektronike apo dosje fizike. Qytetari nuk do të jetë më si një postier që shkon derë më derë për të gjetur dokumentet”.
Nga Reforma e Shërbimeve Administrative për qytetarët rreth 1400 dokumente në vit nuk do t’iu kërkohen më qytetarëve.
Prej 1 tetorit janë lehtësuar sipërmarrësit, duke iu eliminuar 23 dokumente, të cilat nuk do të kërkohen për asnjë shërbim të ofruar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe institucionet e saj të varësisë.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.