Reforma në administatën publike/ Mirë në letër, dobët në zbatim – Mangësi në financimin e strategjisë

Ecuria e reformës në administratën publike është pasqyruar në raportin e fundit monitorues të “Sigma”, iniciativës së përbashkët të OECD dhe Bashkimit Europian.
Shqipëria ka shënuar përmirësim në pothuajse të gjithë treguesit dhe ka performuar në secilin mbi mesataren e rajonit.
Bazuar në një sërë nënindikatorësh, cilësia e kornizës strategjike të kësaj reforme vlerësohet nga Sigma me një notë 4 nga 5. Vlerësimi do të kishte qenë maksimal, nëse në dokumentet e qeverisë do të diskutohej në detaje të mjaftueshme mbi çdo fushë kryesore që prek, pavarësisht se ajo konsiderohet një nga prioritetet kyç nga qeveria.
Treguesi ku çalon i gjithë rajoni, përfshirë dhe Shqipërinë, është efektshmëria e zbatimit të reformës, ku vlerësohemi me notën 1. Raportet për implementimin e reformës për vitet e mëparshme janë përgatitur, por ato janë të ndarë dhe jo të gjitha janë publike. Disa nga objektivat që duhen realizuar janë fiksuar për vitin 2017, ndaj vendi ynë merr një vlerësim negativ vetëm për shkak të mundësisë së matshmërisë.
Me notën 1 është vlerësuar edhe pjesa tjetër e rajonit të Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës, e cila merr notën 2.
Shqipëria ndërkohë ka marrë vlerësimin më të lartë në rajon (2) sa i takon mbështetjes financiare të kësaj reforme. Gjithsesi, Sigma shprehet se kostoja e masave që planifikohen për vitin 2017 nuk mbulohet tërësisht nga buxheti i shtetit dhe nga donatorët e jashtëm si Banka Botërore, BE dhe UNDP. Për këtë arsye, për financimin e zbatimit të strategjisë së kësaj reforme është krijuar një hendek financiar prej 19%, megjithëse në ulje nga shifrat e mëparshme (29%).
Sa i takon treguesit të fundit, koordinimit të strukturave të ndryshme për hartimin dhe zbatimin e procesit, Shqipëria vlerësohet me notën 3, duke kryesuar rajonin së bashku me Bosnje dhe Hercegovinën. Sigma rekomandon që duhet zgjeruar roli dhe autoriteti i institucioneve përgjegjëse dhe shprehet se në mbledhje duhet të marrin pjesë edhe zyrtarë të lartë nga Ministria e Financave.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.